Lajme

OBT nuk arrin marrëveshje për ofrimin e aksesit global në trajtimet e COVID-it


Organizata Botërore e Tregtisë ka dështuar të arrijë një marrëveshje për heqjen e të drejtave të pronësisë intelektuale për testet dhe trajtimet COVID për vendet më të varfra.

Anëtarët e këshillit thanë se nuk mund të arrinte konsensus pas vitesh diskutimi, pavarësisht “përpjekjeve të konsiderueshme” të anëtarëve.

Hulumtimet e publikuara vitin e kaluar zbuluan se më shumë se 50% e vdekjeve nga COVID në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme mund të ishin shmangur nëse njerëzit kishin të njëjtën qasje në vaksina si shtetet e pasura.

Sipas të dhënave të publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në janar 2023, 75% e njerëzve që jetojnë në vendet me të ardhura të larta janë vaksinuar krahasuar me më pak se 25% në shtetet me të ardhura të ulëta.

Në tetor 2020, India dhe Afrika e Jugut së bashku i kërkuan OBT-së që të pezullojë përkohësisht patentat dhe të drejtat e tjera të pronësisë intelektuale për të gjitha vaksinat, diagnostikimet dhe trajtimet ekzistuese dhe të ardhshme për COVID.

Thirrja u mbështet nga më shumë se 60 vende në zhvillim, të cilët thanë se masa do të siguronte akses të barabartë global në mjekim dhe do të parandalonte vendet e pasura nga grumbullimi i burimeve.

Megjithatë, propozimi u përball me rezistencë të fortë nga kompanitë farmaceutike dhe shumë vende me të ardhura të larta, të cilët thanë se masa do të mbyste inovacionin.

Në qershor 2022, u ra dakord për një version të zbutur ndjeshëm të propozimit që hoqi disa kufizime në eksportimin e vaksinave.

Aktivistët kanë lobuar në OBT për të zgjatur heqjen dorë, por vendimi i së martës do të thotë se nuk do të ketë lëshime të mëtejshme për testet ose trajtimet aktuale ose të ardhshme, përfshirë ato për COVID-in.

“Është një shuplakë e vërtetë në fytyrë”, ka thënë Fatima Hassan, një avokate e të drejtave të njeriut në Afrikën e Jugut.

Hassan ka thënë se “askush nuk e imagjinonte se ky propozim do të bllokohej” kur u propozua për herë të parë në vitin 2020.

“E gjithë bota ishte në krizë. Të gjitha fjalimet i kemi pasur për solidaritet. Nuk e prisnim një kundërshtim të tillë ndaj një propozimi shumë të thjeshtë”, ka shtuar ajo.

“Është provë e asaj që kemi thënë gjatë gjithë kohës, se OBT nuk i shërben interesit të pacientëve në jugun global, sepse është rrëmbyer nga vendet me të ardhura të larta. Ky vendim është një shenjë se jetët e të cilëve shihet se kanë më shumë rëndësi”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore