Kulturë

“Objektet e mallkuara” në Pompei


Kohët e fundit, mediat italiane raportuan se një kuti është dërguar në sitin arkeologjik të Pompeit. Kutia përmbante sende të marra nga vendi historik. Asaj i ishte bashkangjitur dhe një shënim faljeje.

Në letrën e shkruar pretendohej se personi ishte mallkuar me fat të keq si rezultat i veprimit. Sipas mediave, letra është ende në një stacion policor lokal dhe askush nga parku nuk e ka parë atë.

Sidoqoftë, kjo nuk është hera e parë që ndodh. Turistët nga e gjithë bota kanë kthyer sende, të cilat ata besojnë se u kanë sjellë fatkeqësi.

Zyrtari Arkeologjik i Pompeit, Dr. Luana Toniolo, tha për të përditëshmen “The Guardian”, se parku ka marrë afërsisht 200 kthime gjatë dekadës së fundit, shumë prej të cilave përfshijnë letra që tregojnë historinë se pse dhe kur sende të tilla u morën. Disa madje përshkruajnë pse po zgjedhin t’i kthejnë sendet, duke përmendur fatin e keq.

Objektet që merren zakonisht janë pllakat e bardha mozaiku, copa qeramike, shkëmbinj , guralecët dhe fragmentet e arkitekturës.

Një letër e dërguar në park në spanjisht thotë: “Këto janë pjesë të vogla të marra nga kolonat e Pompeit. Që kur i morëm në 1982 kemi pasur fat të keq. Ne nuk e dimë nëse kjo është një besëtytni apo një rastësi. Sidoqoftë, urojmë që ata të kthehen në fatin e tyre – rrënojat e Pompeit, sepse siç thashë më parë, kemi pasur përvoja shumë të këqija. I morëm vetëm që të kishin një kujtim të qytetit dhe të mbanin një pjesë të vogël të kolonës. Me vjen keq. Ne nuk e bëmë atë me qëllime të këqija, vetëm për të mbajtur një kujtim. Faleminderit”.

 

Një tjetër në italisht nga 2010 thotë: “Mirëdita, jam i bindur që këto guralecë që solla nga Italia më sjellin fat të keq. Për këtë arsye, unë po i dërgoj në shtëpi që të jem i lirë. Faleminderit dhe një ditë të mbarë. ”

Ndërsa kthimi i sendeve që nuk duhen marrë kurrë në radhë të parë duket si një lajm i mirë për sitin arkeologjik.

“Turistët duhet të mos ndërhyjnë në vendet historike të një rëndësie të tillë”, u shpreh Dr. Toniolo për “The Guardian”/AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore