Zgjedhjet në Kosovë

Obiliq: Çfarë “mund të” përfitojnë banorët pas zgjedhjeve të 17 tetorit?


Komuna e Obiliqit.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Obiliqit, në zgjedhjet lokale të vitit 2021, në një përgjigje për Albanian Post kanë sqaruar planprogramet e tyre të cilat kanë për qëllim t’i realizojnë brenda mandatit katër vjeçare si dhe atë se çka i dallon ata nga kandidatët e tjerë.

Kryetari aktual i Obiliqit, Xhafer Gashi, i cili kandidon përsëri për kryetar nga partia Iniciativa Qytetare për Obiliq (IQO), deklaroi për Albanian Post se platforma e kësaj partie përmban 80 prioritete të ndara në sektorë.

“Platforma jonë qeverisëse #Bashkë, përmban 80 prioritete të ndara nëpër sektorët që atakohet mirëqenia e qytetarit të Obiliqit”, thotë Gashi.

Ai tutje ka theksuar pesë premtimet kryesore të cilat synon të i përmbushë në Komunën e Obiliqit.

“Ne, jemi angazhuar fuqishëm që të përcaktojmë këto prioritete së bashku me qytetarët tanë, dua të cek pesë prej tyre megjithëse të gjitha këto prioritete kanë rëndësi të veçantë për qytetin e Obiliqit. Pesë nga këto janë: koogjenerimi, ndërtimi i katit të dytë të QKMF-së, ndërtimi i çerdhes në Milloshevë, subvencionimi i ndërtimit të 20 mini fermave për 5 krerë lopë, ndërtimi i pishinës gjysmë-olimpike krijimi i kushteve për zhvillimin e notit”.

Ndërsa, në pyetjen se çka e dallon atë nga kandidatët e tjerë, ai shprehet se për këtë pyetje përgjigjen më të mirë do e japin qytetarët ne zgjedhjet e 17 tetorit.

“Arsyejet tashmë janë të njohura dhe të ditura nga qytetarët tanë; puna, angazhimi, vullneti, zhvillimi dhe ndryshimet pozitive që kanë ndodhur në Obiliq, besojë që janë faktorët që na dallojnë neve dhe platformën tonë qeverisëse”.

Xhafer Gashi, kandidat nga partia Iniciativa Qytetare për Obiliq (IQO).

Xhelal Krasniqi – AAK

Xhelal Krasniqi kandidat i cili garon për kryetarë të komunës së Obiliqit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka bërë të ditur për Albanian Post vetëm tri synime kryesore që kanë për komunën e Obiliqit.

“Ne kemi tri synime kryesore për komunën e Obiliqit të cilat synojmë të i përmbushim. Zhvillimi ekonomik, zgjidhja e banimit për kategorinë e luftës, zbatimin e ligjit të Obiliqit në tërësi kogjenerimi”, shprehet Krasniqi.

Mirëpo, në pyetjen se çka e dallon atë nga kandidatët e tjerë, ai ka refuzuar të përgjigjet.

Xhelal Krasniqi kandidat i cili garon për kryetarë të komunës së Obiliqit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës AAK.

Ajet Berisha – LB

Ajet Berisha, kandidat për kryetar të komunës së Obiliqit nga radhët e Lëvizjes për Bashkim (LB), sqaron për AP pesë premtimet kryesore që do të synojë të i përmbush deri në përfundimin e mandatit të tij në rast se zgjidhët si kryetar i komunës së Obiliqit.

“Zbatimi i plotë i ligjit për Obiliqin, ngrohja qendrore përmes sistemit të co – gjenerimit, kuotë më e ulët e çmimit të energjisë elektrike, përparësi punësimi në KEK në kushte të barabarta, zbatim të të gjitha masave që dalin nga ky ligj për mbrojtjen e mjedisit, ndërtimi i infrastrukturës për stimulimin e aktiviteteve sportive dhe kulturore”.

Por, përveç këtyre ai pohon se në plan ka edhe disa synime të tjera.

“Ndërtimi i QKMF-së së re në Obiliq, ndërtimi i çerdhes në Milloshevë, përfundimi i infrastrukturës bazë dhe modernizimi i saj,  riorganizimi i transportit publik dhe transport urban dhe urban periferik pa pagesë për të gjithë qytetarët”, thotë ai.

Sipas Berishës ajo çka e dallon atë nga kandidatët e partive të tjera, është angazhimi i tij për çështje kombëtare.

“Angazhimi im për çështjen kombëtare krahas studimeve në Universitetin e Prishtinës, duke u angazhuar në ilegalitet, e më pas në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pastaj angazhimi në luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni”.

E diçka tjetër që sipas tij e dallon është që, “së bashku me Lëvizjen për Bashkim, kam qenë iniciator i Ligjit për Obiliqin, ligj ky i cili e shpallë Obiliqin me rrethinë zonë të mbrojtur mjedisore, ku përfitimet nga ky ligj janë shumë dimensionale”.

Ajet Berisha, kandidat për kryetar të komunës së Obiliqit nga radhët e Lëvizjes për Bashkim (LB)

Albanian Post, ka kontaktuar edhe kandidatët për kryetar të komunës së Obliqit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Mehmet Krasniqin, Hanefi Musliu nga Partia Demokratike e Kosoves, dhe Halil Thaçin por që të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Në garë për kryetarin e komunës së Obiliqt, është edhe Goran Dancetoviç nga Lista Serbe.

Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë janë mbajtur më 22 tetor të vitit 2017. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kishte fituar komunën e Obliqit në krye me Xhafer Gashin për dy mandate radhazi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore