Lajme

Nxënësit kosovar bëhen me “Doracak për mësimin e Holokaustit”


Promovimi i “Doracak për mësimin e Holokaustit”

Publikimi i doracakut për Holokaustin ka për qëllim që në Kosovë të shtoj kapacitetet e mësimdhënësve kosovarë dhe të nxisë përfshirjen e tyre të drejtpërdrejtë në zhvillimin e materialeve dhe teksteve mësimore si dhe të ofrojnë mësimnxënie nxënësve kosovar të klasave të nënta dhe të dymbëdhjeta rreth Holokaustit-gjenocidin ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Doracak për mësimin e Holokaustit” është promovuar të mërkurën nga Shoqata e Mësimdhënësve të Historisë së Kosovës dhe Forum ZFD.

Ky doracak tashmë gjendet në faqen e MASHTI-it.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në promovimin e këtij doracaku ka thënë se Holokausti si ngjarje makabre duhet të mësohet dhe të rikujtohet nga gjeneratat e reja.

“Është e rëndësishme që nxënësit tonë të mësojnë që antisemitizmi nuk është sjellja e duhur. Përveç kësaj, ata do të mësojnë edhe për raportet e mira të shqiptarëve me hebrenjtë”.

Ky dokument do t’u shërbej mësimdhënësve kosovar si një material alternativ për nxënësit ka thënë Nagavci.

Ndërsa në fjalën e tij ambasada e Gjermanisë në Kosovë, Jan Axel-Voss ka vlerësuar se botimi i këtij doracaku do të vë në pah mungesën e të drejtave të njeriut kur ka ndodh gjenocidi ndaj hebrenjve.

“Historia e Holokaustit duhet të mësohet në të gjithë botën për të parë diskriminimin, persekutimin dhe antisemitizmin që është ushtruar ndaj hebrenjve”, ka  deklaruar ai.

E pranishme në këtë ceremoni në një linjë direkte ka qenë edhe drejtoresha për antisemitizmin në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Izraelit, Ruth Cohen Dar. Ajo ka vlerësuar se është shumë e rëndësishme edhe për nxënësit kosovar që të mësojnë për historinë e Holokaustit dhe atë përmes fakteve dhe se Izraeli e sheh Kosovën si një potencial të shquar të bashkëpunimit në shumë fusha.

“Ne shohim potencial të madh për bashkëpunim mes Kosovës dhe Izraelit në shumë fusha jetësore”.

Nga diskutimet në promovimin e “Doracak për mësimin e Holokaustit”

Gjithashtu edhe Lea Micha nga Museu i Holokaustit ‘Vad Yashem’ në Izrael në një linjë direkte gjatë promovimit të këtij doracaku ka thënë se është kënaqësi e veçantë që historia e Holokaustit të mësohet nga brezat e rinj në Kosovë.

“Është domosdoshmërisht e rëndësishme që brezat e rinj nëpër botë të mësojnë për një histori aq të rëndësishme”, ka thënë ajo.

Nga Shoqata e Mësimdhënësve të Kosovës ka folur kryesuesja Donika Xhemajli. Ajo ka deklaruar se qëllimi i doracakut është promovimi i qasjes shumëdimensionale “të nxisë empatinë dhe t’iu ofroj mësimdhënësve mundësi alternative përgjatë mësimdhënies”.

Vincent Lungwitz, i cili është drejtor i ZDF (Forum në Maqedoninë e Veriut) ka thënë se librat në Kosovë nuk kanë pësuar ndryshime prej vitesh në kuptimin e plotësimit me informata dhe se historinë shqiptarët duhet ta shkruajnë vet historinë duke marr mësim nga hebrenjtë.

“Ishin njerëzit nga këtu që kërkuan që të mësojnë për Holokaustin. Nuk ishim ne ata që erdhëm për të kërkuar që ata të mësojnë për Holokaustin”, ka deklaruar ai.

Kurse bashkautori i doracakut, Arbër Salihu në fjalën e tij ka thënë se përpilimi i këtij doracaku është bërë pasi që ka mungesa të informacionit të duhur rreth Holokaustit në librat e historisë.

“Ideja për futjen e historisë së Holokaustit, ka qenë para shumë vitesh. Kemi shumë mungesë të kësaj historie në librat tanë”, ka deklaruar ai.

Njësitë mësimore të doracakut kanë për qëllim të promovojnë poliperspektivitetin në mësimin e historisë, në mënyrë që nxënësit të mësojnë dhe bashkë-ndjenjën edhe me kuptimin e pikvështrimeve të të tjerëve.

Me anë të njësive mësimore që janë të përfshira në doracak synohet që të demonstrojnë se si mund të arrihet kalimi prej mësimit të bazuar në njohuri në mësimin e bazuar në aftësi, siç është paraparë në kornizën kurrikulare tek mësimi kritik i cili lidhet me të kaluarën dhe të kuptuarit e saj.

Holokausti është gjenocidi ndaj popullit hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Gjermania naziste mes viteve 1941 dhe 1945, kishte vrarë në mënyrë sistematike po thuajse gjashtë milionë hebrenj në tërë territorin e Evropës ku sundonte regjimi i saj. Hebrenjt e vrarë gjatë kësaj periudhe përbënin dy të tretat e popullsisë hebreje që jetonin dhe vepronin në Evropë.

Selektimi i hebrejve ne hyrje te kampitu Auschwitz-Birkenau 1944

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore