Lajme

Numri i të vdekurve rritet mbi 7200 në Turqi dhe Siri, qindra mijëra kërkojnë strehim


Lajmi është i përditësuar

Të paktën 7 mijë e 266 njerëz në të gjithë Turqinë dhe Sirinë kanë humbur jetën nga tërmeti shkatërrues që goditi të dyja shtetet të hënën e 6 shkurtit.

Autoritetet thanë se 5 mijë e 54 njerëz kanë vdekur në Turqi dhe 1 mijë e 832 në Siri.

Organizata vullnetare e Sirisë, Helmetat e Bardha, të njohura gjithashtu si Mbrojtja Civile e Sirisë, ka përditësuar numrin e të vdekurve në Sirinë veriperëndimore në 1020 në zonat e kontrolluara nga opozita.

Sipas mediave shtetërore siriane, të paktën 812 persona kanë vdekur në zonat e kontrolluara nga qeveria.

Më shumë se 25 mijë njerëz janë plagosur sipas shifrave nga qeveria turke, Helmetat e Bardha dhe media shtetërore siriane.

Tërmeti i së hënës me magnitudë 7.8 shkaktoi dëmtime duke sjellë kështu edhe vonesa në dërgimin e ndihmave për njerëzit dhe zonat e prekura.

Procesi i evakuimit po ndodh në kushte të rënda të motit, pasi stuhitë e përhershme të dëborës janë shtuar.

Sipas ekspertëve, përtej numrave tepër të lartë të vdekjeve, këto shifra pritet të rriten, ku ndër më pesimistët, janë ata të cilët thonë se deri mund të tetëfishohet numri i viktimave.

Presidenti turk ka shpallur ndërkohë tre muaj gjendje të jashtëzakonshme, në 10 rajonet e goditura nga tërmeti.

Sa i përket ndihmave të para, rreth 2 mijë e 600 personel (kërkim-shpëtimi dhe mjekësor) janë dërguar në Turqi nga 65 vende të botës, ku pjesë bën edhe Shqipëria, e cila ka çuar 55 personel dhe shtatë mjete për të ndihmuar në operacionet që po zhvillohen.

Situata është disi më e vështirë në Siri, ku qytetarëve do t’u duhet t’i besojnë autoriteteve vendore më së shumti, parë edhe pozitën gjeopolitike në të cilën vendi ndodhet dhe mungesën e kontakteve diplomatike me shumicën e vendeve të botës.

Në Turqi ndërkohë, vetëm nga Stambolli, janë dërguar menjëherë 13 mijë personel i kërkim-shpëtimit, për të ndihmuar qytetarët e mbetur nën rrënoja, me shpresën se dikush është ende gjallë.

Tërmeti i parë goditi në orën 04:17 me atë lokale, në një thellësi prej 17.9 kilometrash, pranë qytetit Gaziantep, por në realitet të prekur kanë qenë 10 qytete në tërësi, përfshi edhe Diyarbakir-in.

Mes dhjetëra pasgoditjeve, një tepër e fuqishme ka goditur rreth mesditës, me një magnitudë 7.5 Rihter.

Shumë prej ndërtesave janë shembur dhe qindra ekipe kërkim-shpëtimi ndodhen në terren për të bërë të mundur evidentimin e çdo të mbijetuari, apo trupi që ka humbur jetën.

Në një deklaratë për media, ishte ministri i Brendshëm turk, Suleymon Soylu, ai i cili bëri një bilanc paraprak, duke përsëritur se qytetet e prekura nga ana turke ishin Gaziantep, Kahramanmaras, Hatay, Osmaniye, Adiyaman, Malatya, Sanliurfa, Adana, Diyarbakir dhe Kilis.

Nga ana tjetër, në Diyarbakir, është raportuar nga korrespondetët e medias shtetërore britanike BBC, se një qendër e tërë tregtare është shembur, por nuk dihet nëse brenda saj kishte punëtorë të shumtë apo jo.

Prej anës siriane, raportimet janë më të pakta dhe priten përditësime mbi shifrat e humbjes së jetëve dhe dëmeve të shkaktuara.

Lëkundjet e forta u ndjenë gjithashtu në Liban dhe Qipro. Ndërsa, sizma më të lehta, janë ndjerë edhe në Lindjen e Mesme, me raportime deri në Rripin e Gazës, ku ka pasur tronditje për rreth 45 sekonda.

Turqia bën pjesë në një rrip sizmik, ndër më aktivët në gjithë botën dhe të tilla tërmete, nuk janë të rralla atje.

Në vitin 1999, më shumë se 17 mijë njerëz humbën jetën, pasi një tërmet i fortë goditi veri-perëndimin e vendit.

Në një mesazh të menjëhershëm pas ngjarjes, Erdogan ka premtuar ndihmë për çdo të prekur dhe ka kërkuar solidaritetin e gjithë komunitetit ndërkombëtar.

Këta të fundit janë përgjigjur pozitivisht dhe kanë dërguar grupe të posaçme shpëtimi drejt Turqisë.

Të njëjtën gjë e ka bërë menjëherë edhe Shqipëria, ku përmes një postimi në Twitter, ka qenë kryeministri Edi Rama, ai i cili ka bërë me dije se një grup kërkim-shpëtimi do të asistojë homologët turq.

3549 të vdekur në Turqi dhe 1602 në Siri, shpallet 3 muaj gjendje e jashtëzakonshme në 10 rajone

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore