Shqipëria

Nuk ka liri me kusht për Lulzim Berishën – i shpallur në kërkim që në 2020-ën


Gjykata e Lartë ka anuluar vendimin e Gykatës së Apelit Durrës për lirimin me kusht të Lulzim Berishës, në dhjetor të vitit 2016 – asokohe me arsyetimin se vuante nga një sëmundje e rëndë.

Ndërkohë, që prej dhjetorit të vitit të kaluar Berisha është shpallur në kërkim për vrasjen e Klodian Saliut dhe Vajdin Lamajt, nga Porkuroria e Posaçme (SPAK).

SPAK-u publikoi njoftimin në faqen e saj të internetit, ku thuhej se hetimi për vrasjen e Lamajt dhe  Artan Arsin ishin pezulluar shumë vite më parë dhe janë rihapur në vitin 2020.

Më 2 dhjetor, Gjykata ka vendosur masë sigurie arrest me burg për shtetasit Lulzim Berisha, Plarent Dervishaj, Indrit Taulla dhe L. Reçi, të akuzuar për vrasjen e Lamajt dhe Arsit.

Por dy të dyshuarit, Lulzim Berisha dhe Plarent Dervishaj nuk janë arrestuar, pasi rezultojnë në arrati.

“Për shtetasit L. Berisha dhe P. Dervishaj është bërë shpallja në kërkim ndërkombëtar dhe po punohet ngushtësisht me autoritetet e huaja për lokalizimin dhe kapjen e tyre”, thuhej në njoftim e SPAK-ut.

Krahas Berishës dhe Dervishajt, nën akuzë për vrasjen e Lamajt e Arsit janë vënë edhe Emiljano Shullazi e të tjerë. Shullazi është aktualisht nën gjykim për akuza krimesh të tjera.

Kush është Lulzim Berisha?

Lulzim Berisha njihet si truri i “Bandës së Durrësit”. Një organizatë kriminale përgjegjëse për disa krime të rënda.

Berisha kreu dhjetë vite burg për akuzat e grupit të strukturuar kriminal ndërsa prej vitit 2016 Gjykata e Durrësit e liroi atë me kusht. Ai ishte dënuar me 25 vite heqje lirie.

Banda nisi të veprojë në Durrës prej vitit 1998, kur Berisha, në bashkëpunim me Plaurent Dervishaj, Adriatik Colin, Klodian Saliun dhe Ilir Xhungën vranë me armë zjarri Dritan Sallakun.

Seriali i vrasjeve u bë edhe më i qartë kur në pranverën e vitit 2006 u arrestuan shtatë persona, mes të cilëve katër të akuzuar si vrasës me pagesë.

Njëri prej tyre, Adriatik Coli u pendua dhe bashkëpunoi me drejtësinë pas riatdhesimit nga Italia, duke treguar një pjesë të mirë të shkaqeve dhe autorëve të ngjarjeve kriminale.

Pas arrestimit të bujshëm të 6 prillit 2006, Prokuroria e Krimeve të Rënda ngriti dhjetë akuza për Lulzim Berishën, mes të cilave krijimin e një organizate kriminale dhe një seri vrasjesh e atentatesh të kryera mes viteve 1998-1999.

Më 16 janar 2012, Lulzim Berisha u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda për pesë vrasje dhe disa atentate, vendim i cili u la në fuqi edhe nga Apeli.

Megjithatë, një vendim i Gjykatës së Lartë i vitit 2014 rrëzoi dënimin maksimal dhe vendosi 25 vjet burg për ish-kreun e bandës së Durrësit.

Pasi i shpëtoi burgimit të përjetshëm, Lulzim Berisha i drejtoi Gjykatës së Durrësit një lumë kërkesash për ulje dënimi gjatë viteve 2015-2016.

Në tre vendime të veçanta, Berisha përfitoi uljen e më shumë se 2 viteve burg, ndërsa një vendim i katërt i amnistoi atij edhe 1 vit e 6 muaj burg për shkak të amnistisë së vitit 2012.

Plarent Dervishi u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Lartë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore