Kosova

Nuk ka grafite të UÇK-së në kishën e Shën Pjetrit dhe Palit, raportimet në mediat serbe ishin te rreme


Ilustrim

Dioqeza e Prizrenit përmes një njoftimi në rrjetin social Twitter, me 18 korrik, shkroi se persona të panjohur kishin hyrë në një kishë me emrin “Shën Pjetri dhe Pali”, duke shkruar mbishkrime për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Mediat serbe shkruan për këtë rast duke raportuar se ishte njoftuar edhe policia e Kosovës dhe ata kishin konstatuar dëmet në kishë.

Por, pas një verifikimi del se lajmi ishte i ndërtuar nga shumë pasaktësi.

Fillimisht kjo kishë nuk gjendet fare në fshatin Brod të Prizrenit, ku thuhet në lajm, por në Gjakovë. Me një kërkim të thjesht në internet gjendet se kisha e përfolur është në këtë qytet të Kosovës dhe jo në fshatin e përmendur. Madje, se kisha është në Gjakovë, për Albanian Postë e konfirmoi edhe zëdhënësi i policisë për këtë rajon, Lumni Graishta.

Përveç se në Gjakovë, Graishta tregoi se kisha nuk është sulmuar fare.

“Rast të raportuar nuk ka për këtë ngjarje”, i tha ai AP-së.

Albanian Post ka kontaktuar edhe zëdhënësin e policisë në Prizren, Vesel Gashin, për të kuptuar nëse është dëmtuar ndonjë kishë tjetër në këtë rajon, meqë u raportuar për fshatin e Brodit që gjendet në rajonin e Prizrenit në komunë e Dragashit.

Por, Veseli tregoi se s’ka pasur si të raportohet për sulm të ndonjë kishe në këtë fshat, meqë në Brod kishë nuk ka fare.

“Ne nuk kemi informacione lidhur me këtë ngjarje, mund të jetë në ndonjë vend tjetër por jo në Prizren”, deklaroi Gashi.

Një tjetër fshat me të njëjtin emër gjendet në komunën e Shtërpcës, në qarkun e Ferizajt. Dhe në Brod, apo siç njihet edhe si Brot, të Shtërpcës, ekziston një kishë, por as kjo nuk është sulmuar e as vandalizuar.

Aty disa shkrime ekzistojnë, por ato s’janë të vona.

“Shkrimet për Ushtrinë Çlirimtarë të Kosovës në Kishën e Shën Pjetrit në Brod kanë qenë shkrime të mëhershme në vitin 2015”, ka thënë për Albanian Post, zëdhënësi i policisë së Ferizajt, Kanun Veseli,

“I kanë dhënë konotacion tjetër mediat serbe”, deklaroi Veseli, duke dhënë edhe një ide pse po ndodhë kështu.

“Takimi me Albinin dhe Vuçiç-in po nxit kësi lloj lajme. Nuk ka asgjë konkrete lidhur me këtë rast”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore