Euro 2020

Nuk ka fitues, Uellsi dhe Zvicra ndajnë nga një pikë


Ka përfunduar ndeshja e dytë në Grupin A, midis Uellsit dhe Zvicrës. Të dy skuadrat kanë ndarë nga një pike, pas barazimit 1-1.

Ndeshja fliste më shumë për zvicerianët, të cilët në pjesën e parë arritën ta kontrollonin topin 72% dhe të lëshonin 11 goditje drejt portës kundërshtare, ndërsa Uellsi goditi vetëm dy herë.

Me gjithë përpjekjet e zvicerianëve, pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura. Në pjesën e dytë, gjithçka ndryshoi. Zvicra ishte më kërkuese deri në momentin që shënoi golin.

Breel Embolo shënoi për 0-1 në minutën e 49-të, pas asisitit të Xherdan Shaqirit. Por, ndeshja do të barazohej në minutën e 74-të, nga Kieffer Moore.

Në minuten e 86-të, vetëm dy minuta pasi u fut në fushën e lojës, Mario Gavranoviç-i, shënoi për 1-2, por pas ndërhyrjes së VAR, goli u cilësua i parregullt, pasi lojtari ishte në pozicion jashtë loje. Minutat e mbetura nuk prodhuan ndryshim rezultati dhe dy ekipet morën nga një pikë.

Lojtari i ndeshjes sipas Sofascore ishte Embolo, i vlerësuar me notën 8.2.

Grupi A, kryesohet nga Italia me tre pikë, ndiqet nga Uellsi dhe Zvicra me nga një pikë dhe Turqia në vendin e fundit me zero pikë.

Ndeshjet e radhes në këtë grup do të jenë: Itali – Uells dhe Zvicër – Turqi. Të dy ndeshjet do të luhen në orën 18:00, më 20 qershor. Italia do të luajë në Romë, ndërsa Zvicra në Baku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore