Shqipëria

Nuk ka asnjë emër nga opozita në dosjen e inceneratorëve, thotë Tabaku


Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike, ka mohuar se në dosjen e SPAK-ut për inceneratorët ka dhe deputetë të opozitës.

Përpos kësaj, ajo ka kërkuar mbështetje maksimale për SPAK-un pas miratimit në Kuvend të kërkesës për arrestimin e Arben Ahmetajt.

“Unë besoj që kjo ka qenë një kauzë e drejtë e PD-së dhe opozitës duke arritur që sot të çojë para drejtësisë tre ministra të kësaj qeverie. Besoj se duhet t’i japim mbështetje maksimale SPAK-ut”, ka thënë deputetja.

“Sot u mbyll një kapitull dhe urojmë të hapet një kapitull i ri”, ka shtuar Tabaku.

Po ashtu ka treguar se nuk ka lexuar asnjë emër nga opozita të përfshirë në atë dosje.

“Nuk ka asnjë emër nga opozita. Ky është një shembull si funksionon shteti i kapur në Shqipëri. Sot ky është lajmi dhe opozita i qëndroi në këmbë për 6 vite duke e denoncuar këtë aferë”, ka thënë Tabaku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore