Pajisje

Nuk është parë asgjë akoma nga lufta kibernetike


Frika për një luftë kibernetike të paprecedentë rritet bashkë me rritjen e konfliktit ushtarak mes Rusisë dhe Ukrainës.

Të frikësuar nga fakti se kriza përfshin një nga superfuqitë kryesore të hacker-imit në botë, ekspertët po i monitorojnë nga afër të dyja vendet.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë paralajmëruar paraprakisht Rusisë se janë “të përgatitura për t’iu përgjigjur” çdo sulmi në infrastrukturën kritike.

“Nuk kemi parë ende sulme tërësisht shkatërruese në infrastrukturën e Ukrainës”, ka thënë Glenn Gerstell, ish-këshilltar i përgjithshëm i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare dhe Shërbimit Qendror të Sigurisë.

Frika nga lufta kibernetike nxitet nga një histori e gjatë e sulmeve ndërkombëtare të koordinuara jashtë Rusisë. Ajo ka qenë pas një sulmi në shkallë të gjerë në rrjetin elektrik të Ukrainës në vitin 2015 në koordinim me aneksimin e Krimesë.

Kurse në vitin 2017, Moska lëshoi ​​në Ukrainë virusin NotPetya, një malware shkatërrues që u përhap në mbarë botën.

Hacker-at rusë jo-qeveritar kanë qenë të lidhur me disa skema të pacipa në vitet e kaluara, duke përfshirë ransomware-in e vitit 2021 të Gazsjellësit Kolonial në SHBA.

Si koincidencë me pushtimin e Ukrainës, Rusia ka lëshuar ​​një sërë sulmesh më të vogla që prej janarit.

Teksa këto sulme kanë qenë “të rëndësishme dhe të paprecedentë”, për ekspertin Aaron Turner “nuk kanë qenë katastrofike”.

Sepse asnjë fuqi ndërkombëtare ende nuk dëshiron të jetë ajo që do të hedhë gurin e parë në një luftë kibernetike të tretë botërore.

“Të dyja palët e kuptojnë se sulmet katastrofike kibernetike me shumë gjasa do të rezultojnë në shkatërrim reciprok të sistemeve”, ka shtuar ai.

Po ashtu fuqitë kombëtare tanimë më të përgatitura për të shmangur sulmet se sa më parë, mund t’i kenë penguar disa sulme në heshtje.

SHBA-të kanë investuar miliarda në burime të mbrojtjes kibernetike.

“Nëse do të përjetonim një goditje në infrastrukturën kritike, ka shumë mënyra për të shmangur ndërprerjet e qëndrueshme”, ka thënë Theresa Payton, eksperte e sigurisë kibernetike dhe ish-shefe e informacionit në Shtëpinë e Bardhë.

Kurse Rusia po investon më shumë burime në fushatat e koordinuara të keqinformimit, sipas Payton.

Disa firma të teknologjisë amerikane janë detyruar të marrin masa pasi zyrtarët ukrainas u janë lutur atyre që të adresojnë rrjedhën e keqinformimeve ruse në platformat e tyre.

Referuar ekspertëve, Rusia po udhëheq një fushatë të koordinuar për të nxitur narrativa të rreme rreth pushtimit të Ukrainës.

Madje, zyrtarët rusë kanë bllokuar aksesin në mediat sociale në vend për të parandaluar përhapjen e informacionit që nuk përputhet me narrativën.

Gerstell ka thënë se nuk ishte e papritur që Putini të preferonte një strategji të tillë në vend të hacker-imeve shkatërruese.

Sipas tij, një sulm ndaj infrastrukturës do të trajtohej si “i barabartë me një sulm fizik nga një bombë ose raketë”, kurse propaganda bie në një zonë gri.

“Këto janë të gjitha akte që bien nën pragun e një akti lufte, megjithatë janë shumë keqdashëse dhe të dëmshme”, ka shtuar ai.

Nga ana tjetër, Payton ka vënë në dukje se vetëm për shkak se nuk ka pasur ende sulme të mëdha nuk do të thotë se nuk do të ketë në të ardhmen.

Kjo pasi shumë operacione të fshehta, veçanërisht ato në shkallë të gjerë, kërkojnë kohë për t’u shpalosur.

“Mund të ketë incidente në zhvillim për të cilat ende nuk jemi në dijeni. Me Rusinë, nëse nuk keni parë asgjë akoma, qëndroni vigjilent”.

 

Marrë nga “The Guardian”. 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore