Lajme

“S’do ta japim Kushtetutën”, protesta në Podgoricë


Protesta në Podgoricë

Qindra qytetarë të Malit të Zi janë mbledhur në Podgoricë për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj lidershipit aktual të politikës malazeze.

Protesta është organizuar nga lëvizja qytetare “Ima Nas/Jemi ne” dhe po mbahet në sheshin e kryeqytetit malazez, përkatësisht para Kuvendit të Malit të Zi.

Kërkesat e tyre, siç raportojnë mediat lokale, janë shfuqizimi i Ligjit për Presidentin, zhbllokimi i punës së Gjykatës Kushtetuese, shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, si dhe  mos-anëtarësimi në nismën rajonale “Ballkani i Hapur”.

“Ne nuk do t’ua japim Malin e Zi”, “Ne jemi për Malin e Zi në BE”, “Duam zgjedhje” dhe “S’do ta japim Kushtetutën”, janë disa nga thirrjet e protestuesve, të cilët kanë dalë në rrugë për herë të katërt brenda më pak se dy muaj.

Kriza në politikën malazeze është thelluar edhe më shumë nga miratimi i ndryshimeve në Ligjin për Presidentin e Shtetit si dhe mospajtimi mes partive politike rreth zgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Shumica parlamentare, me votat e 41 deputetëve, miratoi për herë të dytë ndryshimet në Ligjin për Presidentin, pavarësisht opinionit të Komisionit të Venecias, i cili kërkoi që ligji të mos miratohej.

Deputetët e formacionit pro-rus dhe pro-serb “Frontit Demokratik”, “Demokratët”, dhe “URA” duan që presidenti Milo Gjukanoviç, të propozojë një përfaqësues për përbërjen e qeverisë së re ose ta përjashtojë atë krejtësisht nga ky proces.

Megjithatë, Gjukanoviç ka nënshkruar të premten Ligjin e ndryshuar për Presidentin e Shtetit, por s’do ta thërras për konsultime Miodrag Lekiç’in, mandatarin për formimin e Qeverisë së re të Malit të Zi nga “Fronti Demokratik”.

Mesazhe shqetësuese janë dërguar në Podgoricë nga shumë diplomatë evropianë dhe amerikanë, të cilët nuk e kanë fshehur shqetësimin për krizën politike, por edhe për pasojat që një ligj i tillë, mund të ketë rrugën evropiane të Malit të Zi.

Pavarësisht thirrjeve publike për zgjedhjen e gjyqtarëve, përfaqësuesit e partive parlamentare nuk kanë arritur ende tek konsensusi dhe të zgjidhnin të paktën një gjyqtar, për të zhbllokuar gjykatën.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese është pa kuorum për vendimmarrje që nga mesi i shtatorit të këtij viti, madje edhe nëse së shpejti shpallet konkursi i ri për gjyqtarë, Mali i Zi edhe në vitin e ardhshëm mund të hyjë me një Gjykata Kushtetuese jofunksionale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore