Sport

Noa Lang, e ardhmja e futbollit holandez


Për disa futbollistë, shfaqja e talentit ndodh më vonë se sa gjatë viteve të “adoleshencës”.

Shumë futbollistë kemi parë që të shpërthejnë kur janë 17, 18 apo 19 vjeç, por ka edhe nga ata që emër për vete bëjnë më vonë.

I tillë është edhe holandezi 22-vjeçar i Club Brugge, Noa Lang.

Holandezi po kalon sezonin e tij të dytë me klubin belg dhe performancat e tij, deri më tani, kanë qenë mbresëlënëse.

Në 48 ndeshje deri tani me klubin e Jupiler League, ai ka shënuar 21 herë dhe ka dhuruar 15 asistime.

Mirëpo, numrat nuk janë pika kyçe e lojës së tij.

Noa, që luan në pozitën e sulmuesit të majtë, zotëron aftësi shumë të mira dribluese.

Këtë ai e shfaqi edhe në ndeshjen përballë PSG-së në Champions League, ku kishte më shumë driblime në atë ndeshje se e gjithë skuadra franceze bashk.

Kujtojmë se në anët e PSG-së bëjnë pjesë Messi, Neymar, Mbappe dhe shumë futbollistë të tjerë që driblimin e kanë dhunti shumë të sqaruar.

Lang tanimë është një emër i shumëpërmendur nëpër mediat holandeze, belge dhe jo vetëm.

Duke parë performancat e tij, është shumë e vështirë të besohet se ai do të qëndrojë gjatë te Club Brugge.

Deri tani, interes për të ka shfaqur Arsenal, me skuadra të tjera angleze, por edhe nga Italia dhe Gjermania që po e përcjellin nga afër zhvillimin e tij si futbollist.

Pa dyshim se e ardhmja e Noa Lang premton shumë, por se ku do të jetë ai nga sezoni i ardhshëm, mbetet për t’u parë.

E sigurt është që cilado skuadër, që siguron shërbimet e tij, do të ketë në dispozicion një nga futbollistët më të mirë të gjeneratës së re.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore