Lajme

Njësitë Speciale në Veri – monitorohet situata


Njesia Speciale ne Veri

Rezoluta e votuar në Kuvendin e Kosovës që obligonte qeverinë të ndërmarrë të gjitha masat për mos-lejimin e organizimit të Referendumit serb në territorin e Kosovës, ka bërë që qysh në orët e para të mëngjesit të së dielës, njësitet speciale të policisë të vendosen në Veri.

Dhjetëra autoblinda u nisën nga kampi “Belvedere” ende pa lindur dielli dhe u pozicionuan në pjesë të ndryshme të Mitrovicës së Veriut dhe pjesë të tjera të veriut të vendit, raporton nga vendi i ngjarjes, gazetari i Albanian Post, Valon Rashtiti.

 

Në anën tjetër, në Serbi, në orën 07:00 mëngjesin janë hapur qendrat e votimit për të votuar në referendumin që parasheh ndryshime kushtetuese.

Qytetarët atje do ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votimit në mbi 8 mijë vendvotime, deri në orën 20:00 në mbrëmje.

Qytetarët votojnë në referendum dhe përpara kanë pyetjen: A jeni në favor të konfirmimit të Ligjit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”, derisa do të mund të votojnë për “po”, ose “jo”.

Sipas Komisioni Zgjedhor në Serbi të drejtë vote kanë rreth 6.5 milionë banorë.

Akti për ndryshimet Kushtetuese ka edhe amendamente specifike që mundësojnë ndryshime në fushën e drejtësisë me qëllimin që të mundësohet pavarësi më e madhe e sistemit të drejtësisë dhe gjyqtarëve, gjithashtu edhe pavarësi më e madhe e prokurorëve.

Amendamenti ka të bëjë vetëm me ndryshime kushtetuese në sektorin e drejtësisë dhe nuk prekë pjesë të tjera të kushtetutës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore