Lajme

‘Një vdekje e ngadaltë’: Banorët e Gazës jetojnë së bashku me mbeturinat dhe brejtësit


Në të gjithë Rripin e Gazës, në një peizazh të sapo transformuar nga lufta, malet me mbeturina paraqesin rreziqe të rënda për shëndetin dhe mjedisin.

“Ne kurrë nuk kemi jetuar pranë mbeturinave më parë”, thotë Asmahan al-Masri, një grua e zhvendosur, me origjinë nga Beit Hanoun, shtëpia e së cilës tani është një shkretëtirë në Khan Younis.

“Unë qaj ashtu si çdo gjyshe tjetër që nipërit e saj janë të sëmurë dhe kanë zgjebe. Kjo është si një vdekje e ngadaltë. Nuk ka dinjitet”.

Në tetë muaj, më shumë se 330 mijë e 400 ton mbetje të ngurta vlerësohet të jenë krijuar në territorin palestinez, sipas OKB-së dhe agjencive humanitare që punojnë në kanalizime.

16 anëtarë të familjes Masri ndajnë një tendë në një kamp pranë universitetit al-Aqsa me grumbull mizash dhe ndonjëherë gjarpërinj.

Qentë endacakë mund të bredhin aty pranë. Të gjithë banorët ankohen për erën e keqe të vazhdueshme.

“Era është shumë shqetësuese. E mbaj të hapur derën e tendës që të marr pak ajër, por nuk ka ajër”, thotë Asmahan.

“Vetëm era e mbeturinave”.

Disa nga më shumë se një milion njerëz që u larguan kohët e fundit nga ofensiva ushtarake izraelite në qytetin jugor të Rafah, janë detyruar të jetojnë në zona të hapura që tashmë ishin shndërruar në vend grumbullim të plehrave.

“Ne kërkuam kudo për një vend të përshtatshëm, por ne jemi 18 njerëz me fëmijët dhe nipërit tanë, dhe nuk gjetëm askund tjetër ku mund të qëndronim së bashku”, thotë Ali Nasser, i cili kohët e fundit u zhvendos në kampin e Universitetit Al-Aksa nga shtëpinë e tij në Rafah.

“Udhëtimi këtu na kushtoi mbi 1000 sikla (268 dollarë) dhe tani financat tona janë shkatërruar. Nuk kemi punë, nuk kemi të ardhura dhe kështu jemi të detyruar të jetojmë në këtë situatë të rëndë. Ne vuajmë nga të vjellat, diarreja dhe vazhdimisht kruajtja e lëkurës”.

Përpara luftës, vitet e bllokadës së vendosur nga Izraeli dhe Egjipti në Gaza, e cila qeverisej nga Hamasi, kishte vënë një tendosje të rëndë në shërbimet bazë, siç është hedhja e mbeturinave.

Kufizimet e rrepta për ato që Izraeli tha se ishin arsye sigurie për atë që mund të hynte në territor nënkuptonin se nuk kishte kamionë të mjaftueshëm mbeturinash, mungesë pajisjesh për klasifikimin dhe riciklimin e mbeturinave shtëpiake dhe për asgjësimin e duhur të tyre.

Që nga sulmet vdekjeprurëse të 7 tetorit të udhëhequr nga Hamasi, ushtria izraelite ka bllokuar hyrjen në zonën kufitare, ku ndodhen dy deponitë kryesore të Gazës.

Njëra në Juhr al-Dik i shërbente më parë veriut dhe një tjetër, në el-Fukhari, i shërbente zonave qendrore dhe jugore.

“Ne po shohim një krizë të menaxhimit të mbetjeve në Gaza, dhe një krizë që është përkeqësuar shumë gjatë muajve të fundit”, thotë Sam Rose, drejtor i planifikimit për agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë, Unrwa.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për Albanian Post 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore