Lajme

Një tjetër serb mohon pjesëmarrjen në sulmin e Banjës: Asnjëherë s’jam ftuar nga autoritetet e drejtësisë për t’u intervistuar


Ilustrim

Zharko Mojsilloviç, qytetar serb nga Mitrovica e Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, në një prononcim për portalin “KoSSev” të dielën, ka mohuar akuzat e ministrit të Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla, për përfshirjen e dyshuar në sulmin e armatosur terrorist në Banjë të Zveçanit në fund të shtatorit.

Mojsilloviç ka mohuar “tërësisht dhe fuqishëm” pjesëmarrjen në sulmin terrorist të 24 shtatorit në veriun e Kosovës apo anëtarësimin në strukturat terroriste serbe në Kosovë – “Mbrojta Civile” dhe “Brigada e Veriut” – ndërsa ka shtuar se asnjëherë nuk është ftuar nga autoritetet kompetente të drejtësisë mbi dyshimet për përshirje në aktivitete ilegale.

“Dua të theksoj se nuk kam qenë i përfshirë apo i lidhur në asnjë mënyrë me ngjarjet e ndodhura në Banjë më 24 shtator të këtij viti. Për momentin jam në shtëpinë time në Mitrovicë të Veriut dhe me kënaqësi do t’i përgjigjem ftesës së autoriteteve kompetente… mohoj fuqishëm çdo pjesëmarrje në këtë ngjarje”, ka thënë Mojsilloviç të dielën në mbrëmje.

“Gjatë gjithë kësaj kohe kam qenë në dispozicion të autoriteteve, çdo ditë në vendin e punës, duke mos u fshehur në asnjë moment. Asnjëherë nuk jam ftuar nga autoritetet kompetente për të dhënë një deklaratë dhe disponueshmëria ime e plotë për publikun dhe autoritetet dëshmon për gatishmërinë time për të bashkëpunuar në çdo kohë”, ka shtuar ai.

Ministri Sveçla nëpërmjet një konferencë për media të shtunën ka paraqitur disa fotografi, harta dhe pamje të shkëputura nga droni mbi lëvizjen e pjesëtarëve të grupit terrorist, ndërsa ka paraqitur edhe informacione personale për të dyshuarit, porse dy serbë deri tani kanë mohuar pretendimet se kanë qenë të përfshirë direkt apo indirekt në terrorizëm.

Personi që Sveçla e prezantoi si “koordinator i terroristëve”, gjendet në banesën e tij në Zveçan

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore