Lajme

Një tjetër anëtar i forcave speciale franceze vritet në një operacion kundër-terrorizmi në Irak


Rreshteri Nicolas Mazier, një parashutist i Forcave Ajrore të Francës, “ra në luftim gjatë kryerjes së misionit të tij”, tha në një deklaratë pallati presidencial Élysée.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia franceze “AFP”.

Macron shprehu ngushëllimet e tij për të dashurit dhe kolegët e Mazier-it në një mesazh të postuar në platformën X, e njohur më parë si Twitter.

“Rreshteri Nicolas Mazier po luftonte për Francën, për sigurinë tonë. I rënë dëshmor në Irak, i gjithë kombi mban zi për të”, shkruan Macron.

Një burim i sigurisë irakiane në qytetin verior të Kirkuk-ut tha se një operacion i përbashkët i trupave irakiane kundër-terroriste dhe forcave speciale franceze të stacionuara në bazën K1 në Kirkuk u “prit” nga militantët e grupit të Shtetit Islamik (IS), sipas AFP-së.

Në një betejë që zgjati “më shumë se pesë orë”, një numër i panjohur i trupave franceze si dhe tre anëtarë të forcave antiterroriste të Irakut u plagosën, shtoi burimi.

Mazier është ushtari i tretë francez që vritet në Irak ditët e fundit, pas vdekjes së një ushtari gjatë një stërvitje operative më 21 gusht dhe një ushtari tjetër në një aksident rrugor më 18 gusht.

Rreth 600 trupa franceze janë dislokuar në rajon si pjesë e Operacionit Chammal, operacionit ushtarak francez në Irak dhe Siri kundër grupit IS.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore