Lajme

Një shekull jetë, shuhet babai i terapisë kognitiv-bihejviorale


Aaron Beck, babai i terapisë kognitiv-bihejviorale

Të paktë janë ata të cilët e njohin Aaron Beck, por ai ka shënjuar rrjedhën e psikologjisë duke qenë themelues i një prej terapive më të ushtruara gjatë dekadave të fundit nga specialistët terapistë në fushën e psikologjisë, atë kognitiv-bihejviorale.

Ai jetoi plot 100 vjet, duke kapur shekullin dhe pas la një trashëgimi të jashtëzakonshme.

Ajo çfarë Beck solli, ishte revolucionarizimi i diagnostikimit dhe trajtimit të depresionit apo çrregullimeve të tjera psikologjike.

Lajmin e ka dhënë e bija e tij, Judith.

Aaron Beck dhe vajza e tij, Judith

“Babi im ishte një person i jashtëzakonshëm”, tha Judith pas shuarjes së të atit. “Ai ia kushtoi gjithë jetën psikologjisë dhe ndihmës ndaj njerëzve. U shua në paqe të plotë me veten dhe personat që e rrethojnë”.

Beck ka qenë prej dekadash një prej frymëzuesve më të mëdhenj të studentëve.

Zhvillimi që ai solli nëpërmjet bashkimit të dy shkollave të psikologjisë në një rrymë të vetme, ishte ndër revolucionet që ndodhën në vitet 1960, prej Universitetit të Pennsylvanias.

Të shihet problemi në përditshmëri, jo në konfliktet e fëmijërisë.

Këtu ishte ndryshimi rrënjësor i Beck karshi terapive më të përdorura për kohën, ato psikanalitike, të themeluara nga Sigmund Freud e më pas të zhvilluara nga Carl Jung apo pionerë të tjerë të fushës.

Në një maksimë anti-Freud-iane, Beck mendonte se në sipërfaqe, ka shumë më shumë se sa syri sheh.

Ai zbuloi defektin logjik të mendimit automatik tek pacientët e tij dhe u përpoq ta përmblidhte në mënyrë të tillë, që të shpërbënte mendimet e përditshme negative në jetën e njeriut.

Aaron Beck gjatë një konference, 2015

Fjalë të tilla si “do të jem gjithnjë një dështim” apo “askush nuk më do”, do të bëheshin themel për linjën kundërshtore që Beck do të zgjidhte të ndiqte.

Me tejkalimin e këtyre mendimeve, ai arrinte të tejkalonte problemet më të mëdha që pacientët shfaqnin.

Formatimi i Beck mbetet ndër më të ushtruarit dhe të suksesshmit në psikologji.

Ai shkroi 17 libra, publikoi mbi 500 artikuj dhe mori nderime të panumërta në karrierë.

Trashëgiminë e tij, përtej familjes, e mbajnë gjallë edhe miliona psikologë, të cilët i referohen inventarëve të tij për të trajtuar rastet klinike të çrregullimeve psikologjike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore