Lajme

Një pjesë e kriminelëve në Veri janë ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës, thotë Sveçla


Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media ka deklaruar se grupi që sulmoi autoritetet kosovare në pjesën veriore, janë ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

“Tashmë kemi të dhënat e para të mbledhura nga terreni, qoftë nga Policia, qoftë nga Intelegjenca, e cila na thotë se një pjesë e këtyre kriminelëve vijnë nga radhët e ish-pjesëtarëve të Policisë së Kosovës”, tha Sveçla.

Ai theksoi se “bandat kriminale kanë penguar një prej proceseve më të rëndësishme, në një vend demokratik, përmes metodave terroriste”, duke shtuar se “këto grupe janë të mbështetura e të drejtuara nga Serbia”.

“Unë nuk pres diçka të mirë as nga (Aleksandër) Vuçiç as nga qeveria e Serbisë, të cilët realisht janë financuesit e këtyre grupeve. Nuk pres që këta në një moment të vendosin se do t’i lënë këto praktika. Është në detyrën e institucioneve të Kosovës, që këta kriminelë të luftohen 24/7 dhe atë suksesshëm”, potencoi ai.

Gjatë këtij sulmi ishin përdorur shok-bomba, granata dore dhe armë zjarri, ndërsa Sveçla nënvizoi se këtë rast, Policia në bashkëpunim me Prokrurorinë Speciale, e ka cilësuar si “sulm ndaj rendit kushtetues, kryerje e veprave terroriste, zjarrvënie dhe mbajtje nën kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve”.

I pyetur për mundësinë e zgjedhjeve në Kosovë, Sveçla deklaroi se “unë jam i bindur që policia ka kapacitet e nevojshme të garantojë të gjitha proceset demokratike në Kosovë. Për më shumë, normalisht që janë institucionet përgjegjëse, presidenca, KQZ-ja që përgatit planin dhe pastaj i drejtohet presidentes, për çfarëdo lloj alternative që ata prezantojnë”.

Pse dje policia nuk ka qenë në vend të ngjarjes?

“Policia bën vlerësimet e duhura operative, ata marrin vendime mbi këto vlerësime, policia tërë kohën ka qenë në territorin e kësaj komune (Komunës Veriore), po ashtu tërë kohën ka eliminuar pasojat e këtyre sulmeve terroriste të bandave kriminale”.

“Po bëjmë hetime intensive, siç e thash edhe më herët kemi informacionet e para të cilat po verifikohen në më shumë se një kanali. Po mblidhen dëshmitë, për këto aktivitetet dhe për këta persona, të cilët kanë qenë pjesë e kësaj veprimtarie terroriste. Sipas disa informatave që i kemi, disa nga pjesëtarët e këtyre grupeve, janë ish-pjesëtarë të policisë së Kosovës”.

Ai bëri të ditur se Policia dhe Prokuroria Speciale janë duke u angazhuar në maksimum që  të gjithë kriminelët e përfshirë në këtë “sulm terrorist” të sillen para drejtësisë.

“Policia po tregohet e aftë të kryer detyrat e saj ligjore. Ne po presim planin e KQZ-së lidhur me aktivitetet e parapara, që ky proces të shkojë mbarë”.

Ndryshe, kjo situatë u krijua, pasi serbët e Kosovës, nën urdhrat e Listës Serbe, u tërhoqën nga institucionet në të gjitha nivelet, meqë kërkonin nga qeveria suspendimin e vendimit për masat për vozitësit me targa ilegale serbe.

Përfundimisht, vendimi u shty me ndërhyrjen e Brukselit, por serbët nuk u kthyen në institucione.

Qeveria dhe presidenca nxituan me shpallje të zgjedhjeve, por siç u pa të martën e 6 dhjetorit, kapaciteti për të funksionuar në atë pjesë del të jetë jo i mjaftueshëm.

Të martën, policia bashkë me zyrtarët komunalë zgjedhor u desh të zmbrapsej nga Veriu, pasi serbët në veri nuk i kanë të kenë qasje në zyra.

Pati edhe të shtyna armësh e shpërthime, por akoma askush nuk është arrestuar dhe zhytarët komunalë nuk kanë arritur të shkojnë në veri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore