Shqipëria

Një paradigmë e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor


Bashkimi Evropian nuk e ka marrë formën përfundimtare (ka ende vende që aderojnë anëtarësimin), as Unioni nuk mund të konsiderohet një entitet i ngushtë dhe i paluajtshëm.

BE-ja vështron të ardhmen dhe po punon për një zgjerim me protagonist “Ballkanin Perëndimor”.

Të mërkurën e 6 tetorit, në Slloveni, u mbajt një samit, në të cilin përfaqësuesit e institucioneve të komunitetit dhe udhëheqësit e shteteve anëtare u takuan me vendet, që sot kanë filluar procesin e anëtarësimit në BE.

Shqipëria, Republika e Maqedonisë së Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia janë kandidatët zyrtarë për t’u bashkuar me unionin.

Ndërsa, Kosova e Bosnja dhe Hercegovina janë ende në procesin e arritjes së kësaj njohjeje.

Konteksti aktual ka ngadalësuar proceset e pranimit.

Pas tre zgjerimeve të ndërmarra në vitet 2000 – të cilat shtuan 13 vende në Union në më pak se dhjetë vjet – procesi është ngadalësuar.

Ekspertët pajtohen se, megjithëse zgjerimi lindor i vitit 2004 dhe pranimi i Ballkanit Perëndimor duket se kanë ngjashmëri, ka pasur një ndryshim mes tyre.

E para erdhi “në një kohë besimi te BE-ja, në një kohë të lulëzimit ekonomik”.

“Në ato vite besohej se zgjerimi ishte pozitiv”, thotë studiuesi Pol Bargués për median spanjolle, “Newtral”.

Fill pas kësaj nisën zërat se unioni ka shumë anëtarë.

Studiuesi Pol Bargués

“Kjo nënkupton më shumë vështirësi në arritjen e konsensusit dhe më shumë paqëndrueshmëri”, thotë eksperti.

Ai ka theksuar se, përveç kësaj, që atëherë Evropa është përballur me krizën ekonomike të vitit 2008 dhe krizën e refugjatëve të vitit 2015, pa llogaritur Brexit-in dhe pandeminë.

Edhe ekspertja në Institutin e Studimeve Ndërkombëtare, Ruth Ferrero-Turrión, pajtohet me këtë vizion.

“Ka shumë frikë nga përsëritja e gabimeve të së kaluarës”, shprehet ajo.

Sipas saj, aderimet e 2004-ës dhe 2007-ës, kanë sjellë një numër të madh të problemeve të qeverisjes.

“Këto zgjerime u bënë shumë shpejt, duke lënë shumë çështje të papërfunduara, siç është çështja e korrupsionit, që zvarritet veçanërisht në Rumani dhe Bullgari”, thotë Alejandro Esteso, studiues politik i specializuar në Ballkan.

Kësaj i shtohet edhe ringjallja e së djathtës ekstreme në BE.

“Më parë, askush nuk mendonte se dikush mund të ishte euroskeptik dhe tani këto zëra janë në të gjitha vendet, kështu që ju duhet të shkoni me këmbë prej plumbi”, paralajmëron Bargués.

Pas samitit të fundit në Slloveni, presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, siguroi se “BE-ja nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor” dhe siguroi se “do të bëjë gjithçka të mundshme për të përparuar në procesin e zgjerimit”.

Pavarësisht gjithë ngurrimit, është në interesin e BE-së që këto vende të mos humbasin perspektivën e tyre evropiane.

Marrë nga Newtral, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore