Shqipëria

Rama në samitin e Brdo-s: E kam humbur shpresën tek Bullgaria, por shqiptarët nuk e braktisin BE-në


Kryeministri Edi Rama largohet pas fotos me homologun slloven, Janez Jansa

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur fjalën e tij në samitin midis 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të zhvilluar në Brdo të Sllovenisë, ku ka shfaqur një qasje pesimiste sa i përket hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e veriut, fatet e të cilave janë të lidhura njëra me tjetrën.

“Më vjen të them, por i kam humbur shpresat tek Bullgaria dhe tek fakti se ngërçi mund të tejkalohet së shpejti, sepse ata duken të vënë në kurth nga zjarri që kanë ndezur për të ngrohur votuesit e tyre me flakët e një të shkuare të lavdishme”.

Përtej këtij fakti, kryeministri mendon se besimi i shqiptarëve në BE, vijon të mbetet.

Kryeministrat evropianë dhe ata të Ballkanit Perëndimor në Brdo

Ai bën një paralelizëm, se si qytetarët e Shqipërisë, ishin të fundit që hoqën dorë nga ideali komunist. Kjo, edhe pasi gjithkush tjetër kishte hequr dorë.

Në të njëjtën mënyrë, pas rënies së komunizmit, shqiptarët u bënë vendi më pro-evropian. Si të tillë, ata mbeten.

“Detyrat e shtëpisë i kemi bërë, por për fat të keq, BE-ja që adhurojmë, nuk është në gjendje të përmbushë premtimet e saj”, vijon kryeministri në fjalën e tij.

Përpjekja jezuite e maqedonasve

Ajo çfarë Maqedonia e Veriut ka bërë për të hyrë në BE, është e paimagjinueshme sipas kryeministrit Rama.

“Përpjekjet e Maqedonisë së Veriut për të zgjidhur llogaritë me të kaluarën e saj tronditëse në emër të një të ardhmeje të ndritur evropiane, filluan gati 15 vjet më parë me statusin e kandidatit.  Vendi shkoi aq larg në përpjekjet e tij sa për të ndryshuar emrin – e paimagjinueshme për të gjithë këtu mendoj se do të bëjë të njëjtën gjë për hir të BE –së”.

Këtë thekson ai, duke vijuar një retorikë kundër linjës së unionit.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai slloven, Janez Jansa, në samitin e Brdo-s

Mbi këtë fakt, Rama artikulon se sërish, gjithë kjo përpjekje – të cilën me ndoshta 18 vjet të tjera përpara për negociatat, ai e paralelizon në kohë si jeta e Krishtit nga lindja në kryqëzim – nuk mjaftoi as për të thirrur një konferencë ndërqeveritare online.

Plani i BE dhe BE me plan

Disa hapa mund të merren nga vendet e unionit sipas Ramës, për ta bërë BE-në një realitet në rajonin e Ballkanit.

Së pari, plani ekonomik në mbështetje të Ballkanit. Sipas kreut të Qeverisë shqiptare, ky plan është ambicioz. Realizimi, duket më i ulët. Por përtej kësaj, ai shpreson se plan nuk do të pengohet siç po bëhet me integrimin.

Së dyti, integrimi i të rinjve mund të jetë një hap i mirë. Këta të fundit, nuk kanë nevojë për aderimin në BE që të bashkërendohen me moshatarët e tyre. Kjo, për sa kohë mund të ketë mekanizma të arsimit të lartë që lidhin ura. Për shembull, njehsimi i diplomave apo rrugët e reja të studimit. Në këtë mënyrë, të rinjtë nuk do të ndiejnë nevojën për t’u larguar nga vendet e tyre sipas Ramës.

Mbështetja e nismës së Ballkanit të Hapur, është një tjetër pikë sipas kryeministrit. Kjo është një mënyrë që Procesi i Berlinit, të mos mbetet në hije. Në të kundërt, të vijimësohet vizioni i procesit.

“Të dy nuk kanë nevojë të vihen përballë njëri-tjetrit duke patronizuar qëndrimet dhe deklaratat konfuze. Të dyja janë ndërmarrje që mbështesin reciprokisht”, shton ai.

Kryeministri Edi Rama largohet pas fotos me homologun slloven, Janez Jansa

BE-ja, për kryeministrin, mund të ndihmojë duke mos e shkëputur Ballkanin nga planet e tij emergjente në përballimin e fatkeqësive. Adresimi i krizave si pandemia, ajo energjetikike që pritet etj., duhet të jenë përpjekje të përbashkëta.

Së fundmi, për Ramën, BE-ja mund ta ndihmojë Ballkanin, duke besuar tek puna e ndershme e rajonit, edhe pse ndonjëherë irrituese.

“Në fund të ditës, BE nuk është më e mira, por nuk ka asnjë më të mirë se BE”, e përmbylli ai fjalën e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore