Lajme

Një mësues vritet nga një goditje me thikë në një shkollë të Francës


Një mësues është vrarë dhe dy persona janë plagosur rëndë në një sulm me thikë në një shkollë në Francë.

Ministri i Brendshëm Gérald Darmanin ka bërë me dije se sulmi ka ndodhur në shkollën e mesme Gambetta në qytetin verior të Arras.

Referuar zyrtarëve lokalë, sulmuesi është arrestuar. Ndërkohë, mediat e atjeshme kanë raportuar se edhe vëllai i sulmuesit është kapur nga policia.

Agresori, i përshkruar si rreth të 20-ave, është me origjinë çeçene dhe i njohur për shërbimet e sigurisë për përfshirjen e tij me islamin radikal, sipas policisë.

Prokuroria franceze kundër terrorizmit ka njoftuar se ka hapur një hetim pas sulmit për “vrasje në lidhje me një sipërmarrje terroriste” dhe “vrasje të mbetur në tentativë në lidhje me një sipërmarrje terroriste”.

Personi i vrarë mësohet të jetë një mësues i gjuhës frënge, ndërsa një mësues sporti gjithashtu është goditur me thikë dhe është plagosur.

Mediat lokale kanë raportuar se sulmuesi ishte një ish-nxënës në shkollë.

Policia sakaq ka bërë me dije se situata tashmë është nën kontroll.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore