Lajme

Një foshnje e porsalindur gjendet e vdekur në Prizren, dyshohet se u vra


Një ngjarje tejet e rëndë ka ndodhur këtë të shtune në qytetin e Prizrenit, ku një foshnje e porsalindur është gjetur e vdekur në afërsi të parkut të qytetit, derisa rasti është konsideruar si “vrasje”.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.

“Policia në Prizren ka pranuar një informatë se në afërsi të Parkut të Qytetit, nga një dëshmitar okular, gjendet një trup i pajetë që bëhet fjalë një foshnjë. Reagimi policor ka qenë i menjëhershëm, njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes”, tha fillimisht Gashi për AP.

Gashi bëri me dije se për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit dhe se me urdhër të tij trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.

“Po ashtu në vendin e ngjarjes ka dalë edhe ekipi i Emergjencës ku mjeku ka konstatuar vdekjen e foshnjës. Me këtë rast po merren hetimet rajonale dhe po trajtohet si ‘Vrasje e foshnjës së porsalindur’, në konsultim me Prokurorin e Shtetit kështu do të fillojnë hetimet dhe po trajtohet si rast i kësaj natyre”, shtoi.

Këto janë detajet e vetme deri më tani për këtë rast të rëndë, derisa për çdo informatë tjetër, nga policia kanë thënë se do njoftoheni porsa të ketë diçka të re.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore