Lajme

Nisen drejt Diasporës tekstet mësimore të gjuhës shqipe


Qendra e Botimeve për Diasporë (QBD) vazhdon procesin e dërgimit të teksteve shkollore për mësimin e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në Diasporë.

Tekstet mësimore dhe literatura plotësuese janë në përmbushje të kërkesave të dërguara nga shkollat shqipe në Diasporë dhe në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 448, datë 22.07.2021, për “Miratimin e çmimeve dhe të kategorive që përfitojnë falas tekstet e botuara nga Qendra e Botimeve për Diasporën, për vitin shkollor 2021-2022”.

“Ditën e sotme nisen drejt Greqisë, Gjermanisë, Zvicrës dhe Belgjikës dërgesat e para me 3 mijë e 595 tekste shkollore ‘Të mësojmë gjuhën amtare’ (1, 2, 3) të paracaktuara për mësimdhënien e gjuhës dhe kulturës shqiptare”, shkruhet në faqen zyrtare të QBD-së.

Më tej, bëhet me dije se “tekstet e dërguara falas nga Qendra e Botimeve për Diasporën janë adresuar, përkatësisht për Ambasadën Shqiptare në Athinë dhe Konsullatën Shqiptare në Selanik për Greqinë 1 mijë e 422 tekste gjithsej”.

“Ambasadën Shqiptare në Berlin dhe Konsullatën Shqiptare në Mynih për Gjermaninë, 1 mijë e 353 tekste gjithsej, Ambasadën Shqiptare në Bernë të Zvicrës 580 tekste gjithsej, Ambasadën Shqiptare në Bruksel të Belgjikës 240 tekste gjithsej”, thuhet në faqen e QBD-së.

Të gjithë librat e dërguar nga QBD-ja janë falas, për fëmijët që ndjekin shkollat e gjuhës shqipe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore