Lajme

Nis procesi mësimor në Kosovë


Foto: Ilustrim

Procesi mësimor me prani fizike në Kosovë, të hënën e 27 shtatorit ka filluar në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, ka thënë se autoritetet janë duke tentuar që të bëjnë më të mirën në këtë vit shkollor, kur njerëzimi ende po përballet me pandeminë e Coronavirusit.

Ajo përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, u ka uruar të gjithë nxënësve dhe mësuesve vitin e ri shkollor.

“Nuk do të jetë e lehtë as këtë vit, puna në shkolla. Krahas masave që kemi ndërmarrë, krahas kujdesit për sigurinë e shëndetin, nuk duhet lënë anash as betejat për rezultate në të nxënë, në arsimim e edukim”, ka shkruar Nagavci.

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci

Po ashtu, ajo në të dielën e 26 shtatorit ka njoftuar se mbi 90 për qind e mësimdhënësve dhe stafit që punon në shkolla janë vaksinuar me dozën e parë teksa mbi 65 për qind janë imunizuar me të dy dozat e vaksinës anti-COVID.

Foto: Ilustrim

Megjithatë, sipas vendimit të fundit të Qeverisë, procesi mësimor në klasa do të zhvillohet duke mos u lejuar më shumë se 20 nxënës.

Në klasat me më shumë se 20 nxënës, mësimi mbahet në dy grupe.

MASHTI ka hartuar udhëzuesin për organizimin e procesit mësimor në kushte të pandemisë COVID-19, i cili parasheh katër skenarë për zhvillimin e procesit mësimor, varësisht nga situata epidemiologjike dhe kushtet specifike në shkolla.

Ndërkaq, më 31 gusht kanë hyrë në fuqi masat anti-COVID, në të cilat parashihej që fillimi i vitit të ri të shtyhej deri më 13 shtator.

Por, këto masa janë vazhduar deri më 26 shtator.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore