Shqipëria

Nikolla takim me Presidenten e Bundestag-ut, Bas: Keni mbështetjen e vazhdueshme të pakursyer të Gjermanisë në rrugën drejt BE-së


Me ftesë të Presidentes së Bundestag-ut, Bärbel Bas, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, zhvilloi një vizitë zyrtare në Berlin.

Bas dhe Nikolla diskutuan mbi ecurinë e bashkëpunimit dypalësh e parlamentar, procesin e integrimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, bashkëpunimin rajonal dhe ndikimin e luftës në Ukrainë në Ballkanin Perëndimor.

Pasi e falënderoi Presidenten për pritjen e ngrohtë e miqësore, Nikolla nënvizoi se Shqipëria dhe Gjermania kanë një bashkëpunim të shkëlqyer politik. I tillë është edhe bashkëpunimi intensiv midis Kuvendit dhe Bundestag-ut.

“Ju shpreh  mirënjohjen për kontributin e Bundestag-ut në mbështetjen e reformave për zhvillimin ekonomik, avancimin dhe thellimin e reformave demokratizuese e integruese, në veçanti reformës në drejtësi, si edhe monitorimin me ekspertë gjermanë të procesit të Vetting-ut”, iu drejtua Nikolla.

Kjo e fundit shprehu mirënjohjen për kontributin e Gjermanisë përmes granteve, kredive të buta dhe asistencës teknike në sektorët e energjisë, infrastrukturës, zhvillimit të qëndrueshëm, mjedisit, arsimit profesional etj., “një burim i rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë”.

Nikolla e njohu Bas-in me arritjet e Shqipërisë në plotësimin e rekomandimeve të Këshillit Evropian dhe të Bundestag-ut, duke u përqendruar në reformën në drejtësi, reformën zgjedhore, luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, mbrojtjes e respektimit të të drejtave themelore të njeriut e të pakicave, reformën e administratës publike etj.

“Bashkimi me familjen evropiane është një dëshirë mbarëpopullore. Është e rëndësishme që BE-ja dhe vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkëpunojnë që procesi i integrimit të përshpejtohet për të shmangur influencat joperëndimore dhe jodemokratike në rajon”, u shpreh Nikolla.

Kryetarja nënvizoi se Shqipëria vazhdon të kontribuojë si një motor dhe udhëheqëse e bashkëpunimit rajonal.

“Si një pjesëmarrëse dhe përfituese aktive e Procesit të Berlinit, Shqipëria vlerëson se ky proces duhet të fuqizohet dhe bashkëpunimi ekonomik e tregtar mes vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të fuqizohet e zgjerohet”, vijoi Nikolla.

Theksi u vendos edhe të nisma rajonale “Ballkani i Hapur”, si një bashkëpunim mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

“Ajo synon të implementojë sa më shpejt katër liritë themelore të BE-së dhe të plotësojë bashkëpunimin mes këtyre vendeve në kuadrin e iniciativave rajonale”.

Shqipëria mbështet fuqimisht rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, në koordinim me partnerët strategjikë të Kosovës, BE dhe SHBA.

Sakaq ajo vlerësoi përpjekjet e të dërguarve të posaçëm të BE-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe SHBA-së për Dialogun dhe Ballkanin Perëndimor.

Duke u ndalur në agresionin e paligjshëm, të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë ndaj Ukrainës, Nikolla vuri në dukje se Shqipëria mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Ndër të tjera Nikolla u ndal dhe te ndihma që shteti gjerman i ka dhënë Shqipërisë gjatë rinfdërtimit pas tërmetit shkatërrues  të vitit 2019. Si dhe në përballimin e pasojave të pandemisë së COVID-19.

Presidentja e Bundestag-ut, falënderoi Nikollan për vizitën dhe vlerësoi lidershipin e saj në drejtimin e Kuvendit të Shqipërisë.

Sipas saj Shqipëria i ka plotësuar kushtet dhe rekomandimet për procesin e integrimit dhe Konferenca e Parë Ndërqeveritare duhet të mbahet menjëherë.

“Keni mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer të Gjermanisë, Bundestag-ut dhe timen. Kur një vend i kryen detyrat, është detyra e BE-së të marrë menjëherë vendimin për mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare”, u shpreh Bas.

Po ashtu Bas u shpreh se vendi po vijon me avancimin e reformave dhe qeverisjen e mirë  dhe “Bundestag-u ju inkurajon të vazhdoni kështu”.

“Bundestag-u është gati të ndihmojë Kuvendin me ekspertizë për rritjen e transparencës, llogaridhënies, mbikëqyrjes parlamentare, funksionimit të komisioneve hetimore dhe modernizimit të shërbimeve parlamentare”.

Kryetarja Nikolla dhe Presidentja Bas diskutuan edhe mbi përvojat e rritjes së përfaqësimit gjinor në qeverisje, jetën parlamentare dhe zhvillimin e vendit.

Në përfundim të takimit Nikolla i bëri një ftesë Presidentes Bas për një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Presidentja Bas e pranoi me kënaqësi ftesën dhe premtoi se do të vijë sa më shpejt në Shqipëri dhe njëkohësisht e ftoi Kryetaren Nikolla të vizitojnë bashkërisht Landin e North Rhine-Ëestpalia, në të cilin është zgjedhur si deputete e Bundestag-ut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore