Shqipëria

Nikolla: Shqipëria lidere rajonale në luftën kundër influencave joperëndimore në rajon


Kuvendi i Republikës ë Shqipërisë mirëpriti takimin e Komisionit për Demokraci dhe Siguri të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Nga aty, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, u shpreh se organizimi i këtij takimi në Kuvend rikonfirmon rolin dhe kontributin aktiv të Shqipërisë në Aleancë.

Nikolla theksoi se Shqipëria është lidere rajonale në luftën kundër influencave joperëndimore në rajon.

“Këto influenca nuk janë më ideologjike dhe kulturore, por rreziqe të ndërhyrjeve të drejtpërdrejta në sistemet tona, në funksionimin e institucioneve, agjencive dhe të proceseve të zhvillimit”.

Sipas saj, Shqipëria është rasti më tipik që dëshmon se kontributi në Aleancë nuk varet as nga madhësia e vendeve anëtare, as nga pasuria, as nga niveli i zhvillimit, as nga historiku dhe jetëgjatësia në Organizatë – por nga përkushtimi i sinqertë për paqen, sigurinë dhe lirinë e kombeve.

“Ne shqiptarët, e kemi fituar besimin dhe bindjen e Shteteve të Bashkuara dhe anëtarëve të tjerë të mëdhenj e të NATO-s, me përkushtimin tonë të qartë, të vendosur dhe pa asnjë dilemë në zbatimin e vendimeve të Aleancës”, theksoi ajo.

Përfaqësuesi i Komisionit për Demokraci dhe Siguri, Vasile Dincu, përgëzoi Kuvendin dhe Qeverinë e Shqipërisë “për lidershipin e vendit si një partner i denjë dhe aktiv i Aleancës, për rolin dhe kontributin e Shqipërisë për stabilitetin, sigurinë dhe bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor, për kontributin aktiv në misionet paqeruajtëse të NATO-s, të cilat vlerësohen shumë nga Aleanca”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore