Muzikë

Nicki Minaj paralajmëron albumin e ri, zbulon emrin dhe datën e publikimit


Rep artistja Nicki Minaj ka shpalosur surprizën e saj të radhës për fansat e vet të quajtur “Barbz” – kësaj radhe, jo një këngë të re, por një album të ri.

Përmes një postimi në llogarinë e saj të Instagramit, Minaj ka zbuluar edhe emrin e albumit, i cili do të titullohet “Pink Friday 2”, derisa ka bërë të ditur se e ka ndryshuar datën e albumit – i njëjti pritet të publikohet më 17 nëntor të këtij viti.

“Të dashur ‘Barbz’, prej disa ditësh po mundohem të gjej kohën e duhur për t’ju thënë këtë. Për shkak të disa lajmeve vërtet emocionuese që do t’i ndaj me ju në një herë tjetër, e kam zhvendosur pak datën e albumit”, ka shkruar ajo.

“Më besoni, se pritja do t’ia vlejë. Por meqenëse po e ndërroj datën pak, do të doja t’ju jap një gllënjkë të vogël çaji tjetër – albumi i ri do të publikohet më datë 17 nëntor të këtij viti”, ka shtuar ajo.

Tutje, ylli i hitit “Va va voom” ka thënë se turneu i albumit të ardhshëm mund të fillojë në tremujorin e parë të vitit 2024, teksa i ka falënderuar edhe fansat e shumtë të saj,  për mbështetjen e dhënë.

“Unë ju dua shumë. Jam shumë mirënjohëse për vitet e mbështetjes dhe dashurisë që më keni dhënë. Ndonjëherë ndoshta nuk e kam merituar atë që më keni dhënë. Megjithatë, ju do të merrni dashuri nga ky album. Do të jap turne më afër asaj kohe, por padyshim që turneu do të fillojë rreth tremujorit të parë të 2024”, ka përfunduar Nicki.

Nicki Minaj – “Pink Friday”

Përndryshe, “Pink Friday” ishte albumi debutues në studio i rep artistes, Nicki Minaj. Ai u publikua më 22 nëntor të vitit 2010 nga Young Money, Cash Money dhe Universal Motown.

Pas nënshkrimit të një kontrate regjistrimi me Young Money Entertainment në vitin 2009, Minaj filloi të planifikonte albumin në të njëjtin vit dhe puna vazhdoi në vitin 2010.

Minaj angazhoi një shumëllojshmëri producentësh, përpjekjet e të cilëve rezultuan në një rekord kryesisht hip hop dhe pop, i cili sheh ndikime shtesë nga R&B .

Pjesë e albumit ishin yjet përfshirë: Eminem, Rihanna, Drake, Will.i.am, Kanye West dhe Natasha Bedingfield.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore