Lajme

Ngritët aktakuzë ndaj një ish-polici serb për krime lufte në Kosovë


Prokuroria e Kosovës.

Prokuroria e Kosovës, të premten ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër një ish-polici serb, i cili po dyshohet për krime lufte në Kosovë.

Lajmin e ka bërë të ditur Prokuroria përmes një komunikate dërguar mediave.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit me inicialet Z.A. i nacionalitetit serb”.

I njëjti po dyshohet se gjatë luftës kishte kryer një sërë krimesh, përfshirë edhe dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve.

“Prokuroria Speciale njofton se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri Z.A, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë serbe, i uniformuar me uniformë të policisë serbe dhe i armatosur, e kishte ndaluar në qendër të qytetit të Kamenicës të dëmtuarin B.M. duke e torturuar në mënyrë ç‘njerëzore, maltretuar dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, traumë dhe pasoja në shëndet”.

“Si dhe, duke e kanosur seriozisht për jetë për një orë e gjysmë, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë”.

Me këto veprime i njëjti ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile’’ nga neni 142.

“Po ashtu, i pandehuri Z.A. në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare, ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës me rrethinë, pastaj kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive”.

“E më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve i’a kanë vënë zjarrin, po ashtu kanë marrë pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë”.

Edhe më 23 qershor, Prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj një serbi, i cili mori pjesë në vrasjen e 19 shqiptarëve gjatë luftës.

Ndaj tij është ngritur aktakuzë për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.

I pandehuri akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, nga janari i 1998 e deri në qershor të 1999 në fshatin Ozdrim të Komunës së Pejës, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe.

Me 7 maj të 1999, fillimisht e rrethuan fshatin Ozdrim, e pastaj filluan një ofensive ushtarako-policore duke shtënë me armë në drejtim të popullsisë civile me ç ‘rast u vranë 19 civilë të nacionalitetit shqiptarë.

Aktualisht i pandehuri gjendet në paraburgim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore