Lajme

Ngjarjet tragjike në Beograd, qeveria e Abazoviç-it shpallë të dielën ditë zie në Mal të Zi


Kryeministri i Malit te Zi, Dritan Abazoviç.

Qeveria e Malit të Zi, që udhëhiqet nga Dritan Abazoviç, ka vendosur që të dielën e 7 majit ta shpallë ditë zie, për shkak të dy ngjarjeve tragjike që ndodhën në Serbi.

Në ditën e zisë, në përputhje me Ligjin për simbolet shtetërore malazeze, flamujt do të jenë në gjysmështizë në të gjitha objektet e organeve shtetërore dhe objektet e organeve të vetëqeverisjes lokale dhe institucioneve publike.

Ndërsa, në përputhje me vendimin e qeverisë malazeze, në ditën e zisë nuk do të zhvillohet asnjë program publik, kulturor dhe argëtues në vendet publike, dhe po ashtu nuk do të transmetohet muzika në objektet hotelerike.

Gjithashtu, edhe mediat elektronike dhe mediat e tjera që veprojnë në Mal të Zi janë të detyruara të përshtatin përmbajtjen e tyre programore për të shënuar ditën e zisë.

“Në këtë mënyrë, u dërgoj ngushëllimet e mia familjeve të të vrarëve dhe të plagosurve në këtë ngjarje tepër tragjike që ndodhi dy herë në një periudhë të shkurtër kohore në Serbi”, tha kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, transmeton media malazeze Vijesti.

Ndryshe, në Serbi brenda dy ditësh ndodhën dy vrasje masive, njëra në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” dhe tjetra në Mlladenoc, ku mbetën të vrarë 17 persona dhe 25 të plagosur.

Tjetër sulm terrorist në Serbi, 8 viktima e 13 të plagosur, agresori në arrati

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore