Lajme

Nga prapavija në front, pa një “Le Pen”


Fronti Kombëtar i ekstremit të djathtë të Francës (RN) ka konfirmuar 27-vjeçarin me origjinë italiane Jordan Bardella si kryetar partie.

Le Pen do të fokusohet në drejtimin e grupit të partisë në parlament, pasi ajo mori 89 vende në Asamblenë Kombëtare në fillim të këtij viti.

Kjo shënon herën e parë në historinë 50-vjeçare të kësaj force politike, e cila nuk do të udhëhiqet nga një anëtar i familjes Le Pen.

Lajmi u bë i ditur nga multimediali britanik “BBC” dhe agjencia franceze “AFP”.

Por lëvizja nuk shënon një ndryshim drastik në drejtimin e partisë.

Marine Le Pen mbetet burimi i fuqisë reale dhe ajo është ende kandidatja e mundshme në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në vitin 2027.

I rritur në një familje të varfër me origjinë italiane në periferi të Paris-it, Bardella iu bashkua ekstremit të djathtë si adoleshent dhe u ngjit shpejt në krye të partisë, duke u bërë presidenti i saj në detyrë vitin e kaluar.

Ai drejtoi fushatën e suksesshme të zgjedhjeve evropiane të RN-së në vitin 2019, dhe që atëherë ka impresionuar edhe armiqtë e tij me këmbënguljen e tij në debate.

Bardella shihet si besnik i Le Pen, duke i thënë kohët e fundit agjencisë së lajmeve AFP se ai është një “kandidat i vazhdimësisë me synimin për të ndërtuar mbi trashëgiminë e pabesueshme që Marine po dorëzon”.

Ngritja e tij në udhëheqjen e lartë të partisë është pjesë e përpjekjeve të RN-së për të zbutur imazhin e saj dhe për të tërhequr votues të rinj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore