Shqipëria

Nga përplasja për Kosovën tek ‘mbrojtja’ nga Albin Kurti, si është zhvilluar miqësia mes Ramës dhe Vuçiçit?


Në vitin 2014, kur Edi Rama u bë i pari kryeministër shqiptar i demokracisë, i cili vizitoi Beogradin, shkëndijat me presidentin serb, Alexander Vuçiç, ishin të dukshme, me këtë të fundit, i cili hiqte kufjen e përkthimit, teksa Rama artikuloi qëndrimin e qartë dhe të fortë se Kosova, është një realitet i një shteti të pavarur në Ballkan.

Sot, kur sytë e tyre takohen në afërsi apo distancë, nuk ka më shkëndija të rrufeshme. Përkundrazi, habia qëndron kur Vuçiç vetë, arrin deri aty sa të “mbrojë” kryeministrin Rama nga kritikat që këtij të fundit, i bën homologu i Kosovës simotër, Albin Kurti, për shkak të nismës rajonale “Open Balkan”.

Nisma vetë, e ka parë Ballkanin Perëndimor të ndarë në gjysmë.

Nga një krah, lobuesit kryesorë janë Rama me Vuçiçin, të cilët kanë gjetur edhe mbështetjen e politikës së Maqedonisë së Veriut në këtë proces.

Nga ana tjetër, janë kundërshtuesit e nismës: Bosnjë dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova. Më së shumti, janë pikërisht këta të fundit, me udhëheqjen e Kurtit, të cilët e përcaktojnë si të pavlefshme nismën.

Ajo që më së shumti bie në sy gjithsesi, është kapërcimi galopant që raportet mes Ramës dhe Vuçiçit kanë pasur, prej vitit 2014 e deri më sot.

Fitili i parë

Ishte viti 2014, kur Edi Rama shkoi për të parën herë në Beograd dhe mori një vëmendje të paimagjinueshme mediatike në gjithë Ballkanin dhe madje edhe në Evropë, kur arriti të “nervozojë” presidentin serb, Vuçiç.

Këtë gjë, as ky i fundit vetë nuk e mohoi dot.

“Pavarësia e Kosovës është realitet dhe, sa më shpejt ta pranojë Serbia këtë, aq më shpejt do të ecim përpara si rajon. Qëndrimet tona ndryshojnë, por kjo nuk duhet të na pengojë t’ia themi të vërtetën njëri-tjetrit”, tha Rama asokohe.

Përgjigja, u bë lajtmotiv deri edhe satirik i politikës ballkanike.

“Provokacija”, tha presidenti serb, duke lënë të kuptohej se “miku nga Shqipëria”, “e kishte prerë në besë” për faktin se kishte përmendur Kosovën.

Përplasja më pas vijoi edhe në Twitter, ku në muajt pas vizitës historike, Rama do ta “thumbonte” Vuçiçin herë pas here me postimet e tij.

“Serbia normale mund të jetë e mundur vetëm nëse Serbia reale do të kuptojë se Shqipëria e Madhe, është makthi i tyre dhe jo projekti ynë”.

Kështu shkruante Rama më 17 tetor 2014.

Përgjigja e Vuçiç do të ishte e menjëhershme.

“Ky nuk është vetëm makthi ynë, por makthi i Evropës, makthi i gjithë njerëzimit dhe ne do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë, për ta parandaluar atë”, shkroi ai në Twitter.

Në fakt, këto fërkime nuk ishin edhe aq rastësore edhe në vijim, nëse kujtohet ndeshja e shumëpërfolur mes Serbisë dhe Shqipërisë në stadiumin e Partizanit të Beogradit, kur një flamur me sfond të zi, hartë të trojeve ilirike shqiptare me flamurin e kuq dhe shqiponjën dykrenare të zezë në mes e me anash figurat patriotike historike të Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, u ul mu në mes të fushës dhe shkaktoi një gjullurdi të vërtetë, e cila çoi edhe në ndërprerje të ndeshjes dhe dhunë ndaj ekipit përfaqësues shqiptar.

Më pas, do të ishte Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, ajo e cila mori vendimin në favor të Shqipërisë, për t’i dhënë tre pikët në tavolinë në atë ndeshje.

Mirëpo, ato tre pikë, vlenin një kualifikim historik të kombëtares kuqezi për në evropianin e zhvilluar në vitin 2016 në Francë.

“Shkëlqyeshëm. Kjo është drejtësia evropiane”, do të shkruante Rama në Twitter.

“I nderuari Edi Rama, mos u shqetëso, ne do t’ju mundim në fushë në mes të Tiranës pa dron dhe pa ndihmën e askujt. Shihemi së shpejti”, do të replikonte Vuçiç pasi ta quante vendimin e CAS-it një “turp për ligjin evropian”.

Flaka mes të dyve vijoi, por në një pikë, mori edhe rrjedhën e kundërt.

Narracioni i ndryshuar

Alexander Vuçiç, e ktheu nderin e vizitës së Ramës në Beograd dhe erdhi në Tiranë në vitin 2015. Atëherë, ai u shpreh i bindur se marrëdhëniet mes Beogradit dhe Tiranës, janë shumë të rëndësishme për Ballkanin.

Kjo ishte gjithashtu vizita e parë zyrtare e një lideri serb në Shqipëri dhe fjalët e Vuçiçit, në një mënyrë a një tjetër u vërtetuan.

“Edhe pse kemi kontestin e madh sa mali për çështjen e Kosovës, kjo mosmarrëveshje nuk e zbeh rëndësinë e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës”, do të thoshte nga ana tjetër Rama.

Gjuha e zbutur do të vijonte në Nish, në 13 tetor 2016, kur dy liderët do të ishin pjesë e Forumit të Sigurisë së Beogradit.

“Rama është një mysafir i respektuar i Serbisë dhe Rama do të respektohet dhe nderohet edhe këtu në Nish, sepse ne besojmë se duhet t’i zhvillojmë marrëdhëniet më të mira ekonomike dhe politike me Shqipërinë”, tha Vuçiç.

Ndërsa, Rama, duke promovuar librin “Kurban”, disi edhe në mënyrë gazmore, përkujtoi takimin e parë të 2014-ës, duke thënë se mendonte se për shkak të përmendjes së Kosovës në Beograd, Vuçiç “do të vdiste përpara tij”.

Mirëpo, takimet mes të dyve, do të shpeshtoheshin.

Në tetë vjet rrugëtimi politik, Rama dhe Vuçiç janë takuar 17 herë, duke përfshirë tre vizita të Ramës në Beograd dhe dy vizita të Vuçiçit në Tiranë.

Përafrimi i dy liderëve, është argumentuar nga vetë Rama si një mekanizëm për ruajtjen e paqes dhe rritjen e bashkëpunimit mes vendeve.

“Ne, shqiptarët, nuk mund të ndërtojmë të ardhmen pa kapërcyer dhe fshirë kufijtë historikë mes nesh dhe Evropës, mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe mes shqiptarëve dhe serbëve. Le të mos i lidhim këmbët tona me litarët e së shkuarës”, rikujtonte ai fjalët e para në Beograd, në vitin 2014.

Vuçiç vetë, ka pranuar ndërkohë se rolin kryesor në përmirësimin e raporteve mes Shqipërisë dhe Serbisë, e ka në veçanti Rama.

Gjatë një interviste për televizionin ABC News në vitin 2018, presidenti serb, tha se “pas shumë dekadash ku nuk ka pasur raporte normale mes vendeve, tashmë është krijuar një marrëdhënie racionale”.

Open Balkan

Kthesa e vërtetë, mund të quhet ajo e nismës rajonale “Open Balkan” (Ballkani i Hapur), me fillin në nëntor të vitit 2019 në Novi Sad të Serbisë.

Fillimisht e pagëzuar si “Mini Schengen” apo “Schengen Rajonal”, formën përfundimtare e mori nën siglën “Open Balkan”.

Ngjashmëritë mes liderëve, ishin më të mëdha se të pandehura.

Vetë Vuçiç, në samitin e Tiranës të zhvilluar në dhjetor 2021, deklaroi se shihte një ngjashmëri shumë të madhe mes kritikave që i bënin Ramës në Shqipëri dhe atij në Serbi.

“Pashë që kryeministrin Rama e sulmonin se nisma ishte për Serbinë e Madhe. Mua më sulmojnë se nisma është për Shqipërinë e Madhe”, deklaronte ai.

Këto fjali, tregonin qartazi se një përafrim më i madh mes tyre kishte ndodhur.

Në mes ama, doli një figurë krejtësisht e kundërt me ta: Albin Kurti.

Nën kritikat e shpeshta të Kurtit për “Open Balkan”, mburoja e Ramës, do të bëhej vetë Vuçiç.

“Nëse Albin Kurti nuk i kupton gjërat e mira që sjell nisma e bashkëpunimit rajonal dhe mesazhet e tij pushtojnë hapësirën, duke mbyllur dhe jo duke hapur Prishtinën, ai e ka shumë gabim”, u tha Vuçiç gazetarëve në Shkup, më 29 korrik të vitit të kaluar, në një takim të nismës “Ballkani i Hapur”.

Këtë retorikë ndaj Kurtit, si Rama edhe Vuçiçi, nuk e kanë ndalur asnjë çast.

Lidhja e vërtetë

Mbi një lidhje më konkretë dhe të vërtetë midis tyre, është e vështirë të flitet.

Sipas politologut shqiptar, Ben Andoni, i cili ka folur për Radio Evropa e Lirë, “autokracia mund të jetë pika lidhëse”.

“Edi Rama pothuajse ka çdo pushtet në Shqipëri, madje ka dhe një opozitë inaktive. Pothuaj e njëjta situatë është në Serbi, ku Vuçiç gjithashtu ka një opozitë të dobët. Me pak fjalë, pushteti i madh dhe shkuarja drejt autokracisë i ka bërë të dy që të gjejnë si modele njëri-tjetrin”, vlerësoi Andoni.

Në këto ujëra rrjedh edhe mendimi i politologut serb, Stefan Surliq, i cili ka folur po për REL.

“Në duart e tyre është koncentruar fuqi e madhe, edhe më tutje vazhdon të mungojë sundimi i ligjit, është korrupsion i madh… ndërkaq, nga ana tjetër, ata e kanë paraqitur veten si reformatorë të mëdhenj dhe njerëz që sjellin sukses dhe përparim në shoqëritë e tyre”, mendon ai.

Me rajonin dhe liderët e tjerë, të cilët shprehin rezerva të mëdha për “dyshen” e krijuar, nisma e ndërmarrë për ta hapur Ballkanin, mbetet ende shpresë e largët për gjithëpërfshirje.

Mali i Zi, ndoshta mund ta hedhë hapin e parë në qershor dhe t’i bashkohet.

Kosova, ideologjikisht, duket tepër larg. Bosnja dhe Hercegovina ndërkohë, kanë probleme të tjera më madhore.

Siguria e vetme që mbetet, është ajo se prej 2014-ës, shumëçka ka ndryshuar në termat gjeopolitikë rajonalë.

Një prej tyre, është edhe “armiqësia shqiptaro-serbe” në aspektet jo vetëm sociale, por edhe të lidershipit politik.

Dikur “armiq”, sot, Rama e Vuçiç, janë dy krerët ballkanikë, të cilët më së shpeshti takohen së bashku.

Pjesë të këtij shkrimi janë marrë dhe përshtatur nga Radio Evropa e Lirë për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore