Lajme

“Nëse qeveria ndryshon qëndrim ndaj Kosovës, dalim nga koalicioni”, intervistë e Albanian Post me Fatmir Gjekën, Ministër në Qeverinë e Malit të Zi


Fatmir Gjeka, Ministër për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve në Qeverinë Malit të Zi.

“Pozita jonë [shqiptarëve] është shumë më e mirë tani. Ne votuam vullnetarisht për pavarësinë e këtij vendi [Malit të Zi më 2006] dhe e konsiderojmë veten qytetarë të barabartë të tij”, ka thënë në një intervistë për Albanian Post, Fatmir Gjeka, Ministër për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve në Qeverinë Malit të Zi.

Gjeka, politikan shqiptar në Mal të Zi, është pjesë e qeverisë së re malazeze që drejtohet nga lideri i Lëvizjes “Evropa Tani”, Milojko Spajiç.

Pjesë e kësaj qeveri është edhe koalicioni “Për të Ardhmen e Malit të Zi”, të njohur për orientimin e tyre pro ruso-serb, dhe kundër pavarësisë së Kosovës, mirëpo në këtë intervistë për AP, ministri shqiptar nuk sheh ndonjë rrezik sa i përket orientimit perëndimor të këtij shteti ballkanik.

Kabineti i Milojko Spajiç-it.

Këtë garancë ai e ka pasi iu referohet marrëveshjes së koalicionit, ku thuhet se do ta mbështesin integritetin territorial të Ukrainës, si dhe sanksionet kundër Rusisë, forcimin e mëtejshëm të pjesëmarrjes së Malit të Zi në NATO, avancimin e të drejtave të pakicave, mbështetjen e pa diskutueshme të sovranitetit të vendeve fqinje, përfshirë edhe të Kosovës.

“Nëse ndodh ndryshe, koalicioni jonë nuk do të jetë pjesë e kësaj qeverie”, thotë ai me vendosmëri për AP.

Sa i përket raporteve me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, politikani shqiptar në Mal të Zi pohon të jenë korrekte, por nuk e fsheh faktin se duhet të jenë edhe më të avancuara, duke kërkuar kështu bashkëpunim më të mirë.

“Ne shqiptarët nga Mali i Zi e perceptojmë Kosovën si shtetin amë tonë të dytë”, thekson ai.

Në këtë intervistë të tij për AP, Gjeka, ndër të tjera, ka folur edhe për punët që është duke i bërë në funksion të avancimit të të drejtave të shqiptarëve dhe jo vetëm, por edhe për atë se si qeveria malazeze e sheh zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë

Intervista e plotë e Albanian Post me Fatmir Gjekën, Ministër për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve në Qeverinë Malit të Zi

Albanian Post: Z. Gjeka a mund te na tregoni pak se cilat çështje do t’i keni prioritet në këtë mandat të ri tuajin si ministër në Qeverinë e Malit të Zi?

Fatmir Gjeka: Para së gjithash, dëshirojmë të përmirësojmë më tej statusin e pjesëtarëve të komuniteteve kombëtare pakicë, por edhe të grupeve vulnerabël në Mal të Zi.

Me kënaqësi mund të konstatoj se në kuadër të Ministrisë sonë ekziston një Drejtori për Interkulturalizëm, hulumtimet e fundit tregojnë se në Mal të Zi është zvogëluar distanca etnike, si dhe nuk kemi probleme të theksuara ndëretnike.

Por padyshim që ka vend për angazhim dhe ne punojmë çdo ditë në këtë drejtim.

Albanian Post: Cilat do jenë projektet, apo kanë qenë, që i keni apo do t’i bëni në afirmimin e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi?

Fatmir Gjeka: Kohëve të fundit shqiptarët janë dukshëm më të përfaqësuar në pushtetin qendror, por gjithsesi kjo është një përqindje më e ulët se ne jemi në këtë vend. Zonat ku ne jetojmë janë më pak të zhvilluara, emigracioni është i theksuar sidomos nga veriu në komunat Plavë, Guci dhe Rozhaj. Decentralizimi i pushtetit është i domosdoshëm, duhet të bëjmë shumë në infrastrukturë, pastaj në fushën e arsimit dhe informimit.

Albanian Post: Ju jeni pjesë e një qeveri që brenda koalicionit ka partitë pro ruso-serbe, cili do të jetë qëndrimi juaj nëse qeveria e drejtuar nga Spajiçi ndryshon kursin perëndimor, posaçërisht ndaj Kosovës?

Fatmir Gjeka: Gjithçka është e përcaktuar qartë në marrëveshjen e koalicionit dhe nuk ka mundësi të ndryshojë asgjë. Nëse ndodh ndryshe, koalicioni jonë nuk do të jetë pjesë e kësaj qeverie.

Albanian Post: Çfarë raporte keni me Qeverinë e Kosovës, përkatësisht me kryeministrin Kurti?

Fatmir Gjeka: Marrëdhëniet janë shumë të mira, korrekte, por nevojitet bashkëpunim më i mirë. Ne shqiptarët nga Mali i Zi e perceptojmë Kosovën si shtetin amë tonë të dytë.

Albanian Post: Cili është qëndrimi i qeverisë malazeze në problemin mes Kosovës dhe Serbisë?

Fatmir Gjeka: Jemi në proces të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe ndjekim politikën e Brukselit në të gjitha aspektet. Këtë e kanë konfirmuar qartë edhe presidenti [Jakov] Millatoviç dhe kryeministri i Malit të Zi [Milojko] Spajiç.

Albanian Post: Z. Gjeka ju keni kohë që jeni pjesë e politikës në Mal të Zi, që nga ajo kohë deri më tani sa ka ndryshuar pozita e shqiptarëve atje?

Fatmir Gjeka: Mendoj se pozita jonë është shumë më e mirë tani. Ne votuam vullnetarisht për pavarësinë e këtij vendi dhe e konsiderojmë veten qytetarë të barabartë të tij.

Si politikan jam shumë i kënaqur me respektin që kemi me praktikisht të gjitha strukturat politike në këtë shoqëri. Me kënaqësi e theksoi që tre dekadat e fundit kanë treguar se shqiptarët janë komuniteti politik më i pjekur në Mal të Zi. Prandaj, përgjegjësia jonë është më e madhe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore