Lajme

Negocimet finale mes Specialëve e KFOR-it amerikan: “A jemi në rregull, a kemi marrëveshje? – “Po, në rregull jemi” (VIDEO)


Momenti kur komandanti i Njësisë Speciale, Besart Ahmeti dhe eprori amerikan i KFOR-it arrin marrëveshje se si do të procedohet me largimin e barrikadave dhe pastaj policisë

Ashtu siç ishte paraparë me pikën një të marrëveshjes së arritur në Bruksel, mes Kosovës e Serbisë, ashtu edhe ka ndodhur.

Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës u kanë lëshuar vendin ushtarakëve të KFOR-it në dy pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, duke u larguar kështu pas 12 ditësh qëndrim atje, në kërkim të zbatimit të reciprociteti të targave me Serbinë.

Marrëveshja parashihte që rrotullimi të bëhej me fillim në orën 08:00 dhe ende pa shënuar kjo kohë, veçmë janë parë ushtarët e parë të KFOR-it.

Gjithashtu, me mëngjes filloi edhe organizimi për largimin e kamionëve që kishin bllokuar rrugën në disa vende, duke formësuar kështu bllokada të pakalueshme në rrugë.

Gjithçka ka kaluar pa aksidente, megjithëse ka pasur disa momente paqartësie.

Siç ka raportuar Albanian Post, në Bërnjak KFOR-i fillimisht kërkoi nga Njësitet Speciale të Kosovës, që të fillojnë largimin, meqë u lirua një korsi e rrugës.

Por, policët e Kosovës, urdhrat i kishin të qarta.

“Largohemi, kur të largohen kamionët krejtësisht”, ka qenë përgjigja e tyre, e cila ka gjetur mirëkuptim te eprorët e KFOR-it.

Kështu Specialët vazhduan negocimin me ushtarët e KFOR-it dhe eprorët e tyre, me të cilët bisedonin përmes telefonit e më pas vepronin në terren.

Albanian Post ka qenë brenda negocimit final mes komandantit të Njësiteve Speciale, Besart Ahmeti, dhe eprorit të KFOR-it amerikan në Bërnjak, kur kanë arritur pajtimin final që gjithçka të bëhet ashtu saç duhet.

Ahmeti ka kërkuar që të largohet secili kamion që gjendet në rrugë, pastaj, disa minuta pas tyre, mund të largohet edhe kolona e veturave të Specialëve.

Komandanti i KFOR-it ka pranuar këtë kërkesë të Ahmetit dhe ka thënë se ashtu edhe do bëhet.

“Atëherë a jemi në rregull, a kemi marrëveshje?”, ka pyetur ai Ahemetin, për të marrë një përgjigje pozitive nga komandanti i policisë.

“Po, në rregull jemi”.

Kështu, pas 12 ditësh policia është tërhequr nga Bërnjaku.

Njëjtë ka ndodhur edhe në pikën tjetër në Jarinje.

Tash e tutje, për rendin dhe qetësinë në kufi do të kujdesën trupat e KFOR-it.

Ata atje, saç e parasheh marrëveshja, do të qëndrojnë edhe për 12 ditë të tjera, derisa situata të qetësohet.

Nëse gjithçka shkon në rregull, KFOR-i parashihet të largohet dhe të vazhdojë aplikimi i reciprociteti të targave për gjashtë muaj.

Në ndërkohë, grupet punuese do vazhdojnë të përpilojnë një zgjidhje finale për çështjen e targave mes Kosovës e Serbisë.

 

Përse refuzonte të tërhiqej policia?

Me ardhjen e trupave të KFOR-it në mëngjes, siç ka raportuar nga vendi i ngjarjes gazetarja, e Albanian Post, Blerta Ahmeti, ishte kërkuar largimi i policisë.

Kamionët ishin larguar vetëm në njërën korsi dhe kështu ishte parë si hapësirë e mjaftueshme që policia të largohet.

Por, nga pamjet e operatorit të Albanian Post, Visar Loku, shihet se njësitet speciale e refuzuan këtë skenarë.

Ata donin largim vetëm pasi të siguroheshin se çdo kamion që ishte përdorur për barrikadë, do të hiqej nga rruga krejtësisht.

 

Si filloi gjithçka?

Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës mori vendim që shoferët nga Serbia, me të hyrë në Kosovë, t’i ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës.

Për 12 ditë dy pikat në Mitrovicën e Veriut Jarinjë e Bërnjak qëndruan të bllokuara si shenje proteste nga qytetarët serbët.

Gjatë bllokadës ata kishin vendosur edhe tenda fare afër autoblindave të njësisë së Policës, duke planifikuar kështu qëndrimin në këtë pikë edhe gjatë orëve të natës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore