Lajme

Në verën e 2022 Prishtina bëhet me parking nëntokësor


Parkingu nëntokësor i Prishtinës, i cili është paraparë të ketë afërsisht 700 vendpakime, pritet të përfundoj në verën e vitit 2022.

Detajet e kontratës i ka bërë të ditura, drejtori i Drejtorisë për Planifikim Strategjik dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm në Komunën e Prishtinës, Genc Bashota.

“Operatori Ekonomik është i obliguar, që për maksimum 24 muaj nga korriku t’i përfundoj punimet. Kontrata është nënshkruar në vitin 2019, ndërkaq certifikata e datës efektive në korrik të vitit 2020”, ka thënë ai për Albanian Post.

Sipas kreut të komunës, Shpend Ahmeti, hapësira e parkingut do të jetë rreth 23 mijë metra katror.

“2 kate me nga 11 mijë e 500 dhe përafërsisht 700 vendparkime”, pati njoftuar ai në llogarinë e tij në Facebook.

Sipas Ahmetit, prioritet i Komunës së Prishtinës është rritja e hapësirës gjelbëruese si dhe qasja e lehtë e veturave në parkingun nëntokësor.

Tenderin e Partneritetit publiko-privat e ka fituar konsorciumi Italiano-Kosovar: Pessina Construzioni & Jaha.

“Ky tender nuk është klasik, por kemi të bëjmë me projektin e parë të partneritetit publiko-privat në Komunën e Prishtinës”, ka thënë drejtori komunal, Genc Bashota.

Ky parking nëntokësor do të jetë në hapësirat e Universitetit të Prishtinës.

Në një postim në faqën zyrtare të Komunës së Prishtinës thuhej se “Punimet në ndërtimin e parkingut nëntokësor tek Fakulteti Filologjik po vazhdojnë sipas planifikimeve dhe me dinamikën e paraparë”, ka njoftuar kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore