Lajme

Në Tbilisi, “Marshimi i Krenarisë” kthehet në marshim të barbarisë


Muaji që lamë pas ishte “Muaji i Krenarisë”, përgjatë të cilit komunitetet LGBT+ anembanë globit manifeston nëpërmjet marshimeve dhe grumbullimeve mesazhet e veta të dashurisë dhe advokojnë për të drejtat e tyre.

Në Tbilisi të Gjeorgjisë, data e marshimit ishte caktuar të hënën e 5 korrikut. Një marshim i mbështetësve të ekstremit të djathtë ose ultranacionalistëve gjeorgjianë e ka kthyer ditën në një marshim të barbarisë.

Zaptimi i zyrës ‘Pride’

Më herët protestuesit hynë në zyrën e Tbilisi Pride ndërsa policia po i vëzhgonte.

Një grup protestuesish kundër ‘Krenarisë’ u ngjitën në fasadën e zyrës së Tbilisi Pride dhe thyen gjithçka që gjetën brenda.

Sipas dëshmive rrethanore, policia ishte e pranishme në vendin e ngjarjes, por nuk e parandaloi incidentin.

Udhëheqësi i Tbilisi Pride, George Tabagari, komentoi bastisjen. Sipas tij, grupet agresive të urrejtjes u ngjitën në zyrën e tyre, e cila është në katin e tretë, hoqën flamurin e ylberit dhe dëmtuan zyrën.

“Ne jemi dëshmitarë të një dështimi të madh shtetëror”, u shpreh ai.

Ndërtimi i situatës

Fill pas përshkallëzimit të situatës, Tbilisi Pride njoftoi se Marshimi i Krenarisë nuk do të ndodhte më 5 korrik. Grupi tha se qeveria kishte dështuar të mbronte të drejtat themelore të njerëzve.

Ndër të tjera, grupi deklaroi se ishte shpallur luftë ‘kundër shoqërisë civile, vlerave demokratike dhe kursit evropian të vendit’.

Presidentja gjeorgjiane, Salome Zurabishvili denoncoi ‘zhvillimet që ndodhën të hënën dhe çdo incident dhune, persekutimi për shkak të një ndryshimi në mendime apo identitetin gjinor të dikujt’.

Ajo gjithashtu dënoi sulmet ndaj punonjësve të medias dhe përsëriti qëndrimin e saj se të gjithë duhet të jenë të lirë të gëzojnë të drejtat e tyre kushtetuese.

Kryebashkiaku i Tbilisi-t, Kakha Kaladze, i cili është gjithashtu një nga udhëheqësit e partisë në pushtet ‘Ëndrra Gjeorgjiane’, i ka konsideruar incidentet e dhunshme në Tbilisi si “të paimagjinueshme”.

‘Është e papranueshme të vraposh nëpër rrugë si kjo. Media është e paprekshme edhe në vendet më të nxehta në botë’, tha Kaladze, duke u bërë thirrje protestuesve anti-Pride që të lejojnë gazetarët të bëjnë punën e tyre.

Ambasadat perëndimore

Tetëmbëdhjetë ambasada perëndimore në Gjeorgji, si dhe Delegacioni i BE-së, Misioni Monitorues i BE-së dhe Kombet e Bashkuara në Gjeorgji kanë dhënë një deklaratë të përbashkët duke dënuar sulmet e dhunshme ndaj aktivistëve dhe gazetarëve.

Ata kritikuan gjithashtu ‘dështimin e udhëheqësve të qeverisë dhe zyrtarëve fetarë’ për të dënuar dhunën.

Ata shtuan se autorët e dhunës ‘duhet të ndiqen penalisht në masën e plotë të ligjit’.

Turisti i plagosur

Një turist është therur me thikë në rrugën ‘Kosta Khetagurov’ në Tbilisi, sepse kishte veshur një vath.

Media ‘Formula’ citoi një dëshmitar okular të thoshte se sulmuesi besonte se viktima ishte homoseksual.

Policia ka arrestuar një të dyshuar dhe ka hapur një hetim për vrasje në tentativë, e cila mbart një dënim maksimal prej 15 vitesh. Policia nuk po e trajton rastin si një krim të motivuar nga urrejtja.

Viktima është dërguar në spital për mjekim.

Drejtori i Human Rights Watch Europe kritikon ‘dështimin e shtetit’

Xhorxh Gogia, Drejtor i Asociuar për Evropën dhe Azinë Qendrore në Human Rights Watch, e ka quajtur anulimin e Tbilisi Pride një hap të madh prapa për Gjeorgjinë.

‘Tbilisi Pride u detyrua të anulonte Marshin e sotëm të Krenarisë të planifikuar pasi shteti e bëri të qartë se ata nuk janë të gatshëm të ofrojnë siguri dhe të garantojnë sigurinë e tyre, pasi grupet e dhunshme ultranacionaliste endeshin në qendër të qytetit, duke sulmuar gazetarët dhe zyrën e Tbilisi Pride. Hap i madh mbrapa! Të trishtuar’, tha Gogia në një tweet.

Kisha bën thirrje për ‘paqe dhe lutje’

Kisha Ortodokse Gjeorgjiane ka lëshuar një deklaratë ku bën thirrje që protestuesit kundër Marshimit të jenë ‘paqësorë dhe të përqendruar vetëm në lutje’.

“Ndërsa ne kundërshtojmë mëkatin që është padyshim i papranueshëm për mësimin e krishterë dhe protestojmë për përhapjen e imoralitetit, ne lutemi jo vetëm për fëmijët shpirtërorë, por gjithashtu, para së gjithash, për ata që planifikojnë të bëjnë të kundërtën”.

“Krishtërimi bën thirrje për paqe dhe dashuri të ndërsjellë. Ne kërkojmë nga të gjithë që të përmbahen nga çdo veprim agresiv dhe abuziv, përfshirë konfrontimin fizik dhe verbal, në mënyrë që e gjithë kjo të mos çojë në ndonjë përshkallëzim dhe të mos dëmtojë vetë bashkatdhetarët tanë, pavarësisht nga pikëpamjet dhe bindjet e tyre të ndryshme, profesioni dhe statusi shoqëror”.

Sulmi ndaj gazetarëve

Mbi 15 gazetarë janë sulmuar nga protestuesit anti-Pride deri më tani në Tbilisi, sipas RFE/RL. Askush nuk është arrestuar ende për sulmin ndaj gazetarëve. Ministria e Brendshme ka filluar një hetim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore