Lajme

Në Serbi rreth 16 varreza masive, Beogradi pengesë për fillimin e gërmimeve – presioni ndërkombëtar i nevojshëm


Kushtrim Gara

Në Serbi janë diku deri 16 varreza masive, pesë prej të cilave të konfirmuara.

Kështu të paktën ka bërë të ditur Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit për të cilat janë bërë kërkesa zyrtare për fillimin e gërmimeve te pala serbe, por që nuk kanë marrë përgjigje.

“Janë adresuar në formën e kërkesave zyrtaret për palën serbe për të filluar gërmimet në këto lokacione, apo për të caktuar datat për të vazhduar në lokacionet e pa përfunduara”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

Gara ka deklaruar se Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit është në dijeni edhe për lokacione të tjera të cilat nuk mund t’i bëjë publike, por që janë të adresuar në formën e kërkesave zyrtare te pala serbe.

Për të vazhduar gërmimet, ai ka theksuar se duhet koordinim i plotë me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që t’i bëhet presion Serbisë që të fillohet me punë.

Gara pohon se në këtë drejtim do të ndihmonin shumë edhe të dhënat nga arkivat e ish-ministrisë së Mbrojtjes të ish-ushtrisë jugosllave dhe arkivat e Ministrisë së Brendshme.

“Nga përvoja është konfirmuar që vetëm me një presion më të madh të bashkësisë ndërkombëtare ndaj palës serbe, ndaj institucioneve në Beograd ne mund të kemi më shumë rezultate në këtë proces qoftë në kuptim të ofrimit të informatave nga arkivat e tyre apo edhe në kuptim të lejimit të gërmimeve vlerësuese në lokacionet e shënjuara ose të markuara në territorin e tyre”, ka shtuar ai.

Deri në muajin korrik Gara bënë të ditur se kanë vazhduar takimet në nivel të eksperteve për këtë çështje, por që nuk ka pasur takime në kuptim të nivelit të kryetarëve të delegacionit për shkak se Serbia ende nuk ka reflektuar ndaj kërkesave të kryeministrit të Kosovës për të bërë zëvendësimet e duhura në strukturën e tyre, në këtë rast duke aluduar në kryetarin aktual të komisionit të Serbisë për shkak të kaluarës së tij.

“Në lokacione në territorin e Serbisë, po në përgjithësi qasje e institucioneve të Serbisë kundrejt kësaj çështje mbetet shqetësuese dhe sfiduese. Po them se qasja politizuese e tyre dhe kjo sigurisht ndërlidhet me faktin e mungesës të caktimit të datave për të filluar gërmimet në lokacionin në territorin e tyre, lokacionet tani më të shënjuara, apo për të filluar ose vazhduar gërmime në lokacionet e papërfunduara. Deri më tani në territorin e Serbisë gjatë këtyre 24 vjetëve kanë qenë pesë varreza masive të konfirmuara të cilat janë zhvarrosur dhe riatdhesuar në Kosovë mbetjet mortore ose eshtrat e më shumë se 1 mijë viktimave, kryesisht të përkatësisë etnike shqiptare, viktima të luftës në Kosovë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore