Lajme

“Në ruajtjen e mjedisit secili veprim ka peshë” – Ambientalistët për propozimin që qeset e plastikës të bëhen me pagesë


Ilustrim

Në parim Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës është që qeset e plastikës të bëhen me pagesë.

“Aktualisht, jemi duke pritur rekomandimet nga hulumtimi të cilën e ka nisur GIZ-i Gjerman. Mirëpo në parim jemi që qeset e plastikës të bëhen me pagesë çmim ky i cili do të përcaktohet nga hulumtimi”, ka thënë Zëvendësministrja e Mjedisit, Linda Çavdarbasha, për Klan Kosovën.

Ministria e Mjedisit me qëllim të menaxhimit të drejtë të mbeturinave sidomos për reduktimin e qeseve të plastikës një përdorimesh dhe përfitimit të materialeve ricikluese nga qeset e plastikës ka formuar edhe një grup punues ku janë të përfshirë të gjitha palët e interesit.

Për profesorin e universitar, Zeqir Veselaj, i cili është njohës i fushës së mjedisit një vendim i tillë i Qeverisë së Kosovës është jashtëzakonisht i mirëseardhur, kjo për arsye të dëmit që ky produkt i shkakton ambientit në vend.

“Sipas te dhënave shkencore, degradimi natyror i një qeseje plastike zgjat prej 12 deri në 20 vjet, varësisht kushteve klimatike, përbërjes së qeses si dhe substratit se ku hidhet. Shpesh, për shkak të peshës së tyre, ato valojnë edhe nëpër degët e drunjëve duke zënë vendin e luleve, e që është e rëndë për syrin e njeriut”, ka thënë Veselaj për Albanian Post.

Sipas tij qeset e plastikës janë bërë tashmë një ngarkesë për mjedisin dhe se në ruajtjen e tij secili veprim ka peshë.

Zeqir Veselaj

“Kur qeset bëhen me kosto, sa do e vogël që të jetë ajo, do t`i detyroj njerëzit që të mos e marrin nga marketi një qese qoftë edhe për një gjë fare të vogël. Në anën tjetër do e rrit përdorimin e qeseve të ri-përdorshme të tekstilit, letrës që janë më miqësore ndaj mjedisit”.

Megjithatë njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadrijaj një vendim të tillë nuk e sheh edhe si shumë të zbatueshme, kjo për vetë faktin që ekonomia e tregut në Kosovë nuk është e mbrojtur nga institucionet relevante.

“Bizneset të cilat nuk e përfillin konkurrencën e plot mund të përdorin këtë vendim në favor të tyre kështu duke mos e faturuar qeset e plastikës për konsumatorët e tyre”, ka thënë Kadrijaj për AP.

Kadrijaj, madje kujton Ligjin për duhanin i cili është aprovuar në Kuvendin e Kosovës, por nuk ka gjetur zbatueshmëri në praktik.

“Ligji kundër duhanit ka rezultuar i dështuar për faktin që disa biznese ku prapa tyre qëndrojnë akterët e politikës nuk e përfillin ligjin dhe kjo rezulton që edhe bizneset e ndershme të bien pre e këtyre sjelljeve dhe abuzojnë me ligjet”.

Mustafë Kadrijaj

Ndalimi i qeseve

Sipas Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), prej korrikut të vitit 2018, 127 shtete i kanë ndaluar apo kufizuar qeset e plastikës në ndonjë mënyrë. Këto rregulla përfshijnë masa të ndryshme, prej obligimit të klientit për të paguar për qese, e deri te ndalimi i prodhimit, importit dhe shitjes së qeseve të plastikës.

Kenia i ka ndaluar qeset plastike me masa më drastike. Nga viti 2017, kushdo që prodhon apo shet qese të holla një-përdorimshe të plastikës mund të dënohet me burg apo me gjobë deri në 40 mijë dollarë apo rreth 37 mijë euro.

Shqipëria ishte shteti i parë në rajon që i ndaloi qeset jo-biodegraduese në vitin 2018.

Ajo kërkon nga tregtarët të shesin qese të plastikës në dyqane ushqimore dhe markete, si dhe i ka ndaluar qeset e holla jo-biodegraduese dhe një-përdorimëshe.

Së fundmi edhe Maqedonia e Veriut ka marrë vendim që qeset e plastikës të jenë me pagesë.

Kështu nga një dhjetori i këtij viti në këtë vend qesja e plastikës kushton 25 cent.

Ilustrim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore