Shqipëria

Në pranga zyrtari i Urbanistikës në Sarandë, 12 mijë euro për të nxjerrë 2 leje


Zyrtari I Urbanistikës në Sarandë – i arrestuar në kuadër të një operacioni të SPAK – është Ariel Balani.

Në pranga ka rënë edhe inspektori i IKMT, Julian Preni.

Sipas njoftimit të SPAK, Balani duke qenë punonjës në Zyrën e Urbanistikës në Bashkinë Sarandë ka dhënë leje shfrytëzimi plazhi kundrejt 6 mijë eurove.

“Në analizë të veprimeve hetimore të kryera deri në këtë moment, rezulton se shtetasit S. D. dhe F. D. janë përballur me një situatë problematike për pajisjen me leje për shfrytëzimin e plazhit në Ksamil ku kishin ndërtuar një objekt”, thuhet në njoftim.

Sipas SPAK, shtetasi A. B. duke qenë punonjës në Zyrën e Urbanistikës në Bashkinë Sarandë ka ndërvepruar me shtetasit F. D. dhe S. D., të cilëve iu ka kërkuar 12 mijë euro për të ushtruar ndikim të paligjshëm tek Agjencia Kombëtare e Bregdetit për t’iu nxjerrë lejen e shfrytëzimit të plazhit.

“Në muajin Korrik të vitit 2021 shtetasi A. B. ju ka marrë këtyre shtetasve shumën prej 6 mijë euro dhe kanë biseduar që pjesën tjetër do t’ia jepnin kur të nxirrej leja, por më vonë marrëveshja nuk është arritur të realizohej dhe shtetasi A. B. ia ka kthyer shumën monetare”, sipas SPAK.

Sakaq, rezulton se ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se Balani, ka konsumuar elementë të veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i katërt i Kodit Penal.

Po ashtu shtetasit F. D. dhe S. D. kanë patur probleme edhe në lidhje me një objekt të ndërtuar nga ata në Ksamil, për të cilin kishin nisur procedurat e legalizimit.

Gjatë inspektimeve të kryera nga IKMT-ja në vitin 2019 subjekti “F. D.”, është proceduar me masë administrative.

Në muajin mars të vitit 2020 shtetasi J. P. me detyrë inspektor i IKMT-së i ka kërkuar shtetasit F. D. shumën monetare 7 mijë e 500 euro, për të mos i prishur objektin që kishte ndërtuar në plazh Ksamil.

Por pasi kanë negociuar ai i ka dhënë shtetasit J. P. shumën prej 3 mijë euro dhe nuk i është prishur objekti në vitin 2020 edhe pse ka pasur vendim prishje nga IKMT që prej muajit shtator të vitit 2019.

Nga dokumentacion i administruar nga IKMT rezulton se objekti i shtetasit F. D. është prishur vetëm në datën 07.06.2021.

Sipas njoftimit, rezulton se ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se, shtetasi J. P., ka konsumuar elementë të veprës penale, “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.115 date 25.10.2023, ka vendosur:

1 – Caktimin e masës së sigurimit personal atë të “Arrestit në Burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale ndaj personit nën hetim A. B., hetuar për veprën penale, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i katërt i Kodit Penal.

2 – Caktimin e masës së sigurimit personal atë të “Arrestit në Burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale ndaj personit nën hetim J. P., hetuar për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

Masat e janë ekzekutuar nga shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në datën 26.10.2023.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore