Lajme

Në Gaza fëmijët kanë parë gjithçka, tani nuk kanë më dëshira


Shihen të pajetë të mbështjellë me çarçafë të bardhë, të mbajtur në krahët e baballarëve dhe nënave të dëshpëruara.

Shuhen teksa dridhen kur sapo nxirren nga rrënojat e dhomave të tyre të gjumit.

Shihen të mbuluar me gjak, të pastrehë, me sytë hapur nga frika.

Por ka një gjë që nuk kalon nëpër telefonat tanë inteligjentë sepse është e padukshme, dhe ky është fundi i dëshirave.

Fundi i dëshirave do të thotë fundi i një ideje të së ardhmes, e cila, me të drejtë, duhet t’u përkasë të vegjëlve.

“Nipi im vazhdimisht më pyet nëse do të vdesë. Ai ëndërronte të bëhej futbollist, tani vetëm qan”, tregon për Corriere della Sera një teze shumë e re nga Gaza, e cila aktualisht jeton me familjen e saj në një tendë në Rafah.

Pesë muaj pas 7 tetorit 2023, Save the Children publikon një raport që i jep paraprakisht një pamje mbi kushtet e fëmijëve të Rripit të Gazës që jetojnë nën bombat e ushtrisë izraelite për 156 ditë.

Nga 30 mijë e 717 personat e vrarë nga bombardimet, 12 mijë e 550 janë fëmijë.

“Pesë muaj dhunë, zhvendosje, kequshqyerje dhe sëmundje – përveç mbi 16 vjet bllokadë – kanë pasur një ndikim shkatërrues psikologjik te fëmijët. Frika, ankthi, mungesa e ushqimit, hiper-vigjilenca dhe problemet e gjumit, një alternim në stilin e lidhjes me prindërit, regresioni dhe agresioni: ky është universi i përditshëm i fëmijëve që po përjetojnë konflikte”.

Këta fëmijë kanë pushuar së shkuari në shkollë – 90% e strukturave shkollore janë shkatërruar ose dëmtuar – dhe i kalojnë ditët e tyre të tmerruar se mos vdesin nën bomba dhe humbasin të dashurit e tyre.

Kanë frikë se duhet të ikin përsëri, për herë të dytë, të tretë, të katërt…nëpër rrugë të stërmbushura me mbeturina dhe kufoma.

Janë të uritur, një uri që nuk e njihnin dhe që, në disa raste, ka çuar edhe në vdekje.

Prindërit nuk dinë më si të menaxhojnë frikën dhe ankthet e fëmijëve të tyre.

Dalia, një nënë nga Gaza, shpjegon për Save the Children se “fëmijët kanë jetuar tashmë disa luftëra”.

Ata tashmë kanë rezistencë të dobët dhe është shumë e vështirë të përballen me këto vështirësi shtesë.

Fëmijët janë të frikësuar, të zemëruar dhe nuk mund të ndalojnë së qari, kjo u ndodh edhe shumë të rriturve.

“Është shumë për ne, e lëre më për të vegjlit”.

Të rriturit thonë se ndër gjërat më të këqija, ndër gjërat që dhembin më shumë, është mungesa e dëshirave: shumë fëmijë kanë hequr dorë nga e ardhmja.

Një grua tjetër tregon se “një nga djemtë ëndërronte të bëhej inxhinier dhe tjetri polic. Tani dikush dëshiron të ngasë një karrocë të tërhequr nga një gomar, sepse ai e sheh këtë realitet. Dhe ëndrra e djalit tjetër është të shesë biskota para shtëpisë”.

Amal, një nënë e katër fëmijëve nga 7 deri në 14 vjeç, tregon se “disa nga fëmijët nuk mund të përqendrohen më në aktivitetet bazë”.

“Ata menjëherë harrojnë atë që u them dhe nuk mund të kujtojnë gjërat që sapo kanë ndodhur. Nuk do të thosha që shëndeti i tyre mendor është përkeqësuar, thjesht është zhdukur. Një shkatërrim i plotë psikologjik”.

Reham, një farmacist i ri nga Gaza, thotë se në kampin e refugjatëve në Rafah ka shumë jetimë që nuk janë në gjendje të luajnë.

Ai thotë se “çdo zhurmë i frikëson ata dhe ka një sfond të vazhdueshëm me të qara”.

Ata qajnë edhe për mungesën e ushqimit dhe ujit të pijshëm.

Save the Children raporton gjithashtu se të paktën 15 fëmijë kanë vdekur nga kequshqyerja dhe dehidratimi në Gazën veriore.

Është e rëndësishme të kujtohet se “edhe para 7 tetorit, shëndeti mendor i fëmijëve në Rripin e Gazës ishte i pasigurt për shkak të përshkallëzimeve ciklike të dhunës, ndikimit të bllokadës, të krizës ekonomike dhe ndarjes nga familja dhe miqtë”, thuhet në raport.

“Fëmijët këtu kanë parë gjithçka. Bombat, të vdekurit, kufomat. Tani ata e kuptojnë dhe i kanë parë të gjitha. Djali im dallon edhe llojet e eksplozivëve që bien: e ndjen ndryshimin”, tregon një tjetër prind.

Me rritjen e nevojave humanitare, përshkallëzimi i fundit i dhunës dhe rrethimit ka shkaktuar një kolaps total të shërbimeve të shëndetit mendor në Rripin e Gazës.

Raporti thekson gjithashtu se në Bregun Perëndimor, të miturit ndjejnë zemërim, dhimbje dhe pafuqi kur përballen me gjuhën dehumanizuese të zyrtarëve të qeverisë izraelite.

“Kjo luftë dhe plagët fizike dhe mendore që po lë te fëmijët po gërryejnë më tej qëndrueshmërinë e tyre. Ka ende shpresë se, me mbështetjen e duhur, tendenca mund të kthehet mbrapsht. Gjatë fëmijërisë, ka dritare kritike të mundësive për të trajtuar ndikimin e konfliktit”.

“Por asnjë nga këto nuk është e mundur pa një armëpushim të menjëhershëm dhe përfundimtar dhe akses të sigurt dhe të papenguar në ndihmë, në mënyrë që punonjësit humanitarë të mund të ofrojnë mbështetjen kritike të nevojshme”, shpjegon Save the Children.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore