Lajme

Në Florida, një gazetar dhe një vajzë u vranë në vendin e një krimi të mëparshëm


Një gazetar televiziv dhe një vajzë nëntë vjeçare u vranë të mërkurën në Florida nga të shtënat pranë skenës së një tjetër vrasjeje më herët gjatë ditës.

Lajmi u bë i ditur nga agjencitë amerikane, duke cituar zyrtarët vendas.

Një 19-vjeçar, i dyshuar “për vrasjen e mëngjesit të sotëm si dhe për të shtënat pasditen e sotme”, është arrestuar nga policia, bëri të ditur në një konferencë për shtyp zyrtari i qarkut, sherifi John Mina ku ndodhet Orlando, një qytet i madh në këtë shtet juglindor të Amerikës.

Një ekip televiziv lokal nga Spectrum News 13 doli në një rrugë në periferi të Orlando-s të mërkurën pasdite për të mbuluar vdekjen e një gruaje 20-vjeçare më herët gjatë ditës.

Teksa po punonin, një burrë hapi zjarr, duke vrarë një gazetar dhe duke plagosur kolegun e tij, më pas hyri në një shtëpi aty pranë dhe, pa asnjë arsye të dukshme, qëlloi një grua dhe vajzën e saj nëntëvjeçare, duke vrarë këtë të fundit.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre postoi “ngushëllimet” e saj për familjen e gazetarit të vrarë dhe të gjithë ekipin e Spectrum News 13, duke shtuar se “shumë jetë po shuhen nga dhuna e armëve të zjarrit”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore