Lajme

“Ne do të qëndrojmë në tokën tonë”, thotë presidenti palestinez


Presidenti palestinez Mahmoud Abbas ka thënë në konferencën ndërkombëtare në Kajro se palestinezët nuk do të pranojnë të transferohen jashtë Rripit të Gazës, pavarësisht bombardimeve të pamëshirshme nga ushtria izraelite.

“Ne kurrë nuk do të pranojmë zhvendosjen, ne do të qëndrojmë në tokën tonë pavarësisht nga sfidat”, tha Abbas përpara se të bënte thirrje për lejimin e ndihmës së qëndrueshme në enklavën e rrethuar.

Ai kundërshtoi gjithashtu dëbimin e palestinezëve nga shtëpitë e tyre në Bregun Perëndimor dhe Jerusalem.

Abbas thotë se samiti në Kajro po mbahet pasi forcat izraelite “shkelin çdo ligj të mundshëm humanitar” duke synuar civilët përmes bombardimeve ajrore të spitaleve, shkollave dhe strehimoreve.

“Ne kemi kërkuar që nga dita e parë ndalimin e këtij agresioni brutal dhe hapjen e korridoreve humanitare”, vijoi presidenti palestinez.

Ai shtoi se autoritetet palestineze ripërtërijnë refuzimin e tyre për vrasjen e civilëve nga të dyja palët dhe bëri thirrje për lirimin e civilëve që mbahen robër.

“Ne jemi kundër dhunës dhe jemi për miratimin e të gjitha rrugëve paqësore dhe ligjore për të arritur qëllimet kombëtare”, ravijëzoi Abbas në përmbyllje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore