Lajme

Në Beograd folëm për linjën hekurudhore Prishtinë – Nish, s’ka efekt pa Durrësin


Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, gjatë një konference për media ka folur për marrëveshjen e nënshkruar në Beograd, ku ka shpjeguar se këtu është kërkuar të bëhet një linjë nga Prishtina për në Nish, linjë e cila sipas Aliut nuk do të kishte kuptim nëse Prishtina nuk do të lidhej me Durrësin në kuadër të linjës hekurudhore.

Prandaj sipas Aliut, është e domosdoshme që të insistohet nga Kosova dhe Shqipëria që Bashkimi Evropian të investojë në linjën hekurudhore Prishtina – Durrës.

Sipas Ministrit kjo linjë do të ishte në funksion të qarkullimit të udhëtarëve por në veçanti në qarkullimin e mallrave pasi që porti i Durrësit pritet të bëhet një port i rëndësishëm për Ballkanin.

Aliu, më tutje ka treguar se në Beograd është ngritur edhe tema e linjave hekurudhore egzistuese pasi sipas tij këto linja egzistuese Kosovën e lënë anash.

“Këto korridore fatkeqësisht nuk kalojnë nëpër Kosovë dhe është shumë e rëndësishme që lidhja e Durrësit me korridoret e tjera të Ballkanit duhet që të bëhet përmes një korridor të ri që do të duhej të kalonte nëpër Prishtinë mbase edhe nëpër Podujevë”, ka thënë Aliu.

Ministri Aliu, gjatë konferencës për media ka treguar se marrëveshja e nënshkruar në Beograd ka të bëjë me modernizimin e korridoreve dhe linjave hekurudhore.

“Ky vit që jemi nga BE-ja është i shpallur si viti i hekurudhave prandaj është mbajtur Samiti që ishte në Beograd, dhe temë diskutimi ishte hekurudhat dhe ajo çka është nënshkruar ka të bëjë me modernizimin e korridoreve dhe linjave hekurudhore që të mundësonte një transport normal ndërmjet vendeve të Ballkanit”.

Ministri i Infrastrukturës, Aliu, gjatë konferencës ka folur edhe për projektin e zgjatjes së pistës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” dhe për normalizimin e hapësirës ajrore.

Sipas Aliut, me finalizimin e projektit të zgjatjes së pistës, pista ekzistuese e aeroportit nga 2 mijë e 500 metra do të zgjatet në 3 mijë e 50 metra.

Ministri, ka folur edhe për projektin e normalizimit të hapësirës ajrore projekt e cila do të mundësonte  hapjen e rrugëve të reja për shtetet fqinje.

Aliu, ditë më parë ka marrë pjesë në Samitin Hekurudhor “Hekurudhave të Ballkanit Perëndimor 2021” në të cilin së bashku me homologët e tij nga vendet e rajonit kanë nënshkruar një marrëveshje për ndërtimin e një rrjeti hekurudhor.

Sesioni plenar i Samitit “Hekurudhave të Ballkanit Perëndimor 2021” ku pjesëmarrës është edhe Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore