Shëndet

Ndikimi i teknologjisë në shëndetin mendor të fëmijëve


Fëmijë të moshave të ndryshme, duke përdorur “telefona të zgjuar” dhe tablet.

Ndryshimet dhe zhvillimet sociale, të cilat kanë ndodhur së fundi, kanë bërë që shkenca, teknologjia dhe informatika të arrijnë ndoshta në piedestalet më të larta të shoqërisë.

Në ditët e sotme është e pamundur që të shohim shoqëri dhe kultura pa teknologjitë e fundit.

Krahas kësaj është rritur dukshëm edhe përdorimi i teknologjive të reja informative nga të rinjtë, përkatësisht nga fëmijët.

Sociologu Fredi Kamberi ka shpjeguar për Albanian Post se “përdorimi masiv i teknologjisë informative dhe në përgjithësi rrjeteve sociale, është goxha i përhapur jo vetëm në mjediset tona sociale, si në Kosovë, po ashtu edhe në vendet tjera të Ballkanit dhe më gjerë”.

Madje, sipas tij, në disa raste prindërit shfrytëzojnë “telefonat e mençur” si mjet argëtimi për fëmijët, gjë që mund të prodhojë kundër-efekt.

Përderisa është rritur dukshëm përdorimi i teknologjive informative nga moshat e reja, njëkohësisht është rritur edhe shqetësimi i prindërve dhe profesionistëve të fushave sociale mbi pasojat e teknologjive të tilla, sidomos nga varësia, shpjegon Kamberi.

“Prandaj, duhet nënvizuar se teknologjitë e reja, përdorimi i tepërt i tyre ndikon te fëmijët në aspektin kognitiv (njohës) të tyre, ndikon në uljen e performancës dhe cilësisë së mësimit, ndikon në aspektin e socializimit të fëmijëve me fëmijë të tjerë, për shkak se gradualisht ‘miku fizik’ është duke u zëvendësuar me ‘mikun virtual’ dhe pothuajse tërë energjia, emocioni, pasioni, komunikimi, tashmë është shndërruar në një botë virtuale”.

“Po ashtu, ky përdorim i tepërt i teknologjive informative, ka ndikuar në rritjen e dhunës së fëmijëve, bullizmit, agresivitetit dhe sjelljeve devijonte”.

Për kundër gjithë këtyre aspekteve negative, Kamberi thotë se ka edhe aspekte pozitive të përdorimit të teknologjisë, por varësia ndaj tyre mund të shndërrohet një obsesion dhe të ketë pasoja të shumta.

“Ne jemi të vetëdijshëm se gjeneratat e reja kanë lindur në një botë digjitale, e cila është vështirë të shmanget, sepse ka edhe disa përfitime, si nga aspekti i zhvillimit të përgjithshëm, po ashtu edhe nga ai material. Mirëpo, përdorimi i tyre pa ndonjë limit shkakton probleme të theksuara”.

Si ndikon teknologjia digjitale në mirëqenien mendore të fëmijëve?

Teknologjia digjitale pa dyshimka edhe aspekte pozitive, por edhe negative. “Disa nga aspektet pozitive janë edhe zhvillimi i shkathtësive për jetë, mësimi i gjuhëve të huaja”, është shprehur ai.

“Mirëpo, në aspektin negativ teknologjitë e tilla mund të ndikojnë në rritjen e agresivitetit te fëmijët, sjelljet josociale, uljen e performancës së mësimit, rritjen e obezitetit, duke qëndruar shumë gjatë me teknologji të tilla, probleme me miopinë (problemet me sy) etj”.

“Po ashtu, varësia nga teknologjitë informative ndikon edhe izolimin social të fëmijëve, në vetminë, rrit ankthin dhe depresionin social”.

Sa i ndihmon përdorimi i teknologjisë fëmijët?

“Përdorimi i teknologjive nga fëmijët, sipas moshës, ka edhe efekte pozitive, sidomos në zhvillimin e imagjinatës dhe shkathtësive për jetë, ndikon në zhvillimin e gjuhës si mjet i komunikimit, por edhe përfitimit të njohurive të reja” është shprehur ai.

Mirëpo, paraprakisht ekspertët e fushës sugjerojnë se duhet që të:

Zbatohen kufijtë kohorë në pajisjet dhe mediat digjitale, duke përdorur aplikacione të kontrollit prindëror. Ato ndihmojnë të sigurohemi që fëmijët të kenë një ekuilibër të kohës para ekranit dhe aktiviteteve jashtë ekranit, si dhe një angazhim të mjaftueshëm shoqëror e personal për të lejuar një zhvillim të shëndetshëm dhe për të parandaluar izolimin dhe vetminë.

Duhet të komunikohet me fëmijët lidhur me raportet e tyre me bashkëmoshatarë. Kjo mund të ndihmojë në identifikimin e shqetësimeve në lidhje me mungesën e marrëdhënieve në jetën reale, si dhe përfitimet sociale që një fëmijë percepton nga aktivitetet e tyre në internet. Mund t’ju ndihmojë gjithashtu të jeni të vetëdijshëm për përmbajtje të papërshtatshme ose ngacmime kibernetike që mund të kenë ndikim negativ te fëmija.

Duhet të ketë një model të zakoneve të shëndetshme për përdorimin e pajisjes. Është e rëndësishme që prindërit të shpenzojnë mjaft kohë (cilësore) ballë për ballë duke u angazhuar me fëmijët për të mbështetur zhvillimin e shëndetshëm social dhe emocional.

Pra, me fjalë të tjera duhet të ndërmerren hapa paraprak për të zbutur faktorët e mundshëm të rrezikut për fëmijët, përkatësisht duke përfshirë qasjen e kufizuar në teknologji. Kjo nënkupton shtimin e kontrolleve prindërore për të kufizuar sasinë e kohës që fëmijët kalojnë në pajisjen e tyre celulare ose në televizor.

A ka më shumë dëm apo dobi në përdorimin e teknologjisë në moshat e hershme?

“Kujtoj se kjo varet kryesisht nga përdorimi, përkatësisht qëllimi i përdorimit të teknologjive informative. Nëse këto teknologji përdoren në kuptimin e zhvillimit të fëmijëve dhe sipas rekomandimeve të profesionistëve bazuar në moshë, atëherë padyshim se ka dobi”.

“Por, nëse eventualisht përdorimi i teknologjive të tilla shndërrohet në një rutinë, varësi, jashtë limitit, atëherë mund të ketë efekte negative, të cilat ndikojnë në personalitetin e fëmijëve” ka thënë Kamberi për Albanian Post.

Cilat janë efektet shëndetësore dhe fizike?

Normalisht që shpenzimi i kohës së tepërt para ekranin ka pasoja të shumta te fëmijët, sidomos te moshat më të reja. Mirëpo, prindërit duhet të kenë kujdes të shtuar mbi atë se çfarë i servojnë fëmijëve të tyre, duke analizuar përmbajtjen, strukturën, gjuhën, por edhe personazhet e akterëve.

Kjo për shkak se fëmijët kanë modelimin e tyre social dhe ata janë imituesit më të mëdhenj, që do të thotë sipas asaj që shohin fëmijët qoftë nga prindërit, familjarët apo në ekran edhe imitojnë duke i marrë rolet e tyre si modele sociale, shpjegon ai.

Pra, në moshat e hershme, sidomos në zhvillimin psiko-motorik të fëmijëve ka rëndësi të madhe modelimi social dhe fëmijët nëse qëndrojnë shumë kohë pran ekranit mund të kenë probleme, përfshirë marrjen e gjuhës si model qoftë pozitive ose negative, pastaj dhunë, agresivitet e kështu me radhë, shpjegon sociologu.

Ndërkaq Merita Sejdiu, një mësuese fëmijësh, në një kopsht në Prishtinë, thotë për Albanian Post, se promovimi i aktiviteteve në natyrë, pëveç se është shumë i rëndësishëm për fëmijët, gjithashtu i ndihmon ata të largohen nga zakonet dhe fiksimet e padobishme të pajisjeve teknologjike.

“Fëmijët duhet të mësojnë të shijojnë aktivitete rekreative që i largojnë ata nga fiksimi i tyre me pajisjet teknologjike. Loja e pa-strukturuar jashtë botës digjitale stimulon kreativitetin. Koha e lirë nga pajisjet digjitale duhet të jetë prioritet i përditshëm, veçanërisht për fëmijët më të vegjël”.

Ajo këshillon prindërit të bëhen një shembull i mirë, “për shkak se fëmijët janë imitues të mëdhenj, është e rëndësishme që prindërit të kufizojnë përdorimin e tyre para fëmijëve. Kjo do t’i bëjë ata më të disponueshëm për t’u argëtuar reciprokisht gjithashtu”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore