Lajme

Ndihmat e para humanitare nga OKB-ja arrijnë në Siri


Ndihmat e para humanitare nga OKB-ja që nga tërmeti shkatërrues me magnitudë 7.8 ballë kanë arritur në veriperëndim të Sirisë nga Turqia.

Gjashtë kamionë kanë arritur në Bab al-Hawa, i vetmi vendkalim kufitar i autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së për dërgimin e ndihmave.

Kështu ka bërë me dije për “Al Jazeera”-n një zëdhënës i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare.

Fluksi i ndihmave humanitare ishte ndërprerë përkohësisht që nga tërmeti i parë për shkak të problemeve logjistike dhe dëmtimit të rrugës që lidh Gaziantep-in me qendrën e transportit të OKB-së në Hatay.

Referuar OKB-së, janë identifikuar dy rrugë alternative për të arritur në qendër nga Gaziantep-i, nëpërmjet Kilis-Kirikhan dhe nga Mersin nëpërmjet Adana-Kirikhan.

Në vitin 2022, rreth 600 kamionë të ngarkuar me ndihma kaluan nga Turqia çdo muaj, duke arritur mesatarisht 2.6 milionë sirianë.

Ndërkohë, nevojat humanitare janë rritur si pasojë e tërmetit, i cili ka lënë të paktën 1 mijë e 730 të vdekur dhe ka shkatërruar qindra ndërtesa në zonën e kontrolluar nga opozita.

Agjencia e OKB-së ka bërë me dije se të paktën 648 pasgoditje janë raportuar, duke komplikuar operacionet e shpëtimit dhe dërgimin e ndihmave.

Sipas Autoritetit të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë (AFAD), numri i përgjithshëm i personelit të kërkim-shpëtimit në rajon është 79 mijë e 110.

Por vetëm 5 për qind e vendeve të raportuara në Sirinë veriperëndimore aktualisht janë duke u mbuluar nga operacionet e kërkim-shpëtimit.

Mungesa e makinerive të rënda për të hequr rrënojat i ka komplikuar ndjeshëm përpjekjet, krahas ndërprerjeve të energjisë elektrike për shkak të mungesës së karburantit dhe kushteve të rënda të motit.

Marrë nga “Al Jazeera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore