Lajme

Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës e mbuluar me imazhe të dinozaurëve


Ndetesa e Qeverise se Kosoves

Në Kosovë, Zyra e Kryeministrit së bashku më programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim – UNDP, kanë projektuar imazhe të dinozaurëve në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, si aksion kundër ndryshimeve klimatike dhe rrezikut që vjen bashkë me këto ndryshime.

Për këtë arsye, të premten e 12 nëntorit, ndërtesa e Qeverisë u mbulua me figurën e Dinos (Frankie Dino – kryprotagonist në një video të shkurtër që dërgon një mesazh se duhet të veprojmë tani – përpara se kërcënimi i shfarosjes së njerëzimit të bëhet realitet), për të shënuar fundin e Samitit global të klimës COP26 në Glasgow.

“Po projektojmë Dino-n në Prishtinë për të shënuar fundin e Samitit global të klimës, COP26. Dinozauri Frankie është figura kryesore e fushatës globale të UNDP-së për klimën”, është shprehur përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së Maria Suokko.

“Miku ynë që ka jetuar para 66 milionë vjetësh ka një mesazh të fuqishëm për ne. Ai u zhduk për shkak të një asteroidi…Ne jemi duke u përballur me një krizë klimatike, por ende mund të shmangim ndikimet më të këqija të ndryshimit të klimës duke punuar së bashku dhe duke rritur veprimet për klimën”, ka thënë Suokko.

Me këtë fushatë, UNDP inkurajon reformën e subvencioneve të karburanteve fosile si një hap për luftimin e krizës klimatike “dhe lëvizjen drejt një rikuperimi gjithëpërfshirës dhe të gjelbër nga COVID-19”, është shprehur ajo.

Të pranishëm kanë qenë edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, ambasadorja e Suedisë, Karin Hernmarck, Lulzim Baumann, Këshilltar i jashtëm për çështje mjedisore në Ministrinë e Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ulrika Richardson, Koordinatore e OKB-së për Zhvillim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore