Lajme

Nderohet efektivi i cili shpëtoi 243 pasagjerë midis Greqisë dhe Shqipërisë


Efektivi italian i “Guardia di Finanza-s”, Franco Fumarola është nderuar nga kryebashkiaku i Martina Franca-s, Gianfranco Palmisano.

Kjo, për heroizmin e treguar gjatë shpëtimit të 243 pasagjerëve në tragetin që digjej midis Greqisë dhe Shqipërisë.

Lajmi u bë i ditur nga e përditshmja italiane “La Gazzetta del Mezzogiorno”.

“Ishte vërtet një gjest i madh altruizmi, një akt i vërtetë heroizmi duke pasur parasysh rreziqet me të cilat u përballën Franco Fumarola dhe kolegët e tij”, u shpreh fillimisht Palmisano.

Sipas kryebashkiakut, kjo është arsyeja pse autoritetet e vlerësuan dhe janë mirënjohës për guximin e efektivit italian.

Franco Fumarola ndërhyri së bashku me 29 anëtarë të tjerë të Guardia di Finanza-s mbrëmjen e 17 dhe 18 shkurtit.

Kjo, për të kryer operacionin e shpëtimit në brigjet veriore të ishullit të Korfuzit, midis Greqisë dhe Shqipërisë.

Trageti “Euroferry Olympia”, me flamur italian, lidhte qytetin grek të Igumenicës me Brindisi-n.

Ekuipazhi fillimisht u përpoq të shuante zjarrin me pajisjet në bord, por në pamundësi për ta bërë këtë, kapiteni dha urdhër që të braktisej anija.

Në bordin e anijes kishte 237 pasagjerë dhe 51 anëtarë të ekuipazhit.

Efektivët e “Guardia di Finanza” hipën në varkë dhe ndihmuan të gjithë personat që të hipnin në anijen patrulluese.

Për të dëshmuar vlerësimin dhe mirënjohjen e qytetit ndaj Franco Fumarola-s, kryebashkiaku i Martinës i dhuroi atij një pllakë me një dedikim në kujtim të episodit.

“Ke kryer një vepër të madhe, një vepër heroike. Të gjithë ne nga Martinica jemi krenarë për ju”, deklaroi në përmbyllje Palmisano.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore