Shqipëria

Ndërkombëtarët lëvdojnë angazhimin e Ramës, mbështesin dhe idenë e tij për konferencë


Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka qenë mjaft aktiv në propozimin e ideve pas tensioneve të krijuara në mes të Kosovës dhe Serbisë. Angazhim i tij për të gjetur një zgjidhje në kulimin e tensioneve të krijuara në mes të dy vendeve fqinje nuk ka mbetur pa u vlerësuar nga komuniteti ndërkombëtar.

Rama do të dilte fillimisht me një propozim për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, dhe pak ditë më pas do të dilte me një ide për një konferencë normalizimi për Kosovën dhe Serbinë. Për të gjitha këto veprime ai kishte njoftuar kancelaritë më të madha evropiane.

Shefi i Këshillit Evropian, Charles Michel, në margjinat e samitit të Bashkimit Evropian, mbështeti qartësisht idenë dhe propozimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama për mbajtjen e një konference normalizimi.

Lajmi u bë i ditur nga vetë presidenti i Këshillit gjatë një konference të përbashkët për shtyp me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Dua të them se ne gjithashtu mbështesim idenë për të organizuar sa më shpejt një konferencë me disa shtete anëtare të BE-së shumë aktivë në të gjitha përpjekjet ndërmjetësuese, me koordinimin e SHBA-ve”, u shpreh Michel.

Ai shtoi se ka ardhur koha të kemi një qasje globale dhe të bëjmë hapa të qartë drejt normalizimit “të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”.

“Kjo është shumë e rëndësishme, sepse ne kemi thënë se duam të përpiqemi maksimalisht për të bërë diçka për Ballkanin Perëndimor, së bashku me Ballkanin Perëndimor”, shtoi ai.

Ndërsa, Draft-Statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i prezantuar nga Rama ishte vlerësuar pozitiv nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin, Gabriel Escobar, deklaronte se drafti i propozuar nga kryeministri shqiptar Edi Rama për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë ishte tepër konstruktiv.

“Ishte një draft shumë konstruktiv. Iu bëj thirrje njerëzve që ta lexojnë”, theksonte zyrtari amerikan.

Edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, e ka komentuar si pozitiv angazhimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një intervistë për televizionin “Klan Kosova”, diplomati amerikan ka bërë me dije se e ka lexuar dokumentin e përpiluar për Asociacionin nga ekspertët ndërkombëtarë me nismën e kreut të qeverisë shqiptare, ndërsa duke u nisur nga përshtypjet e para, ka thënë se propozimi është “serioz dhe i menduar mirë”.

“Propozimi për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe që Rama e ka prezantuar është serioz dhe i menduar mirë, por ka shumë ide dhe mënyra se si mund të bëhet. Është një propozim i bërë nga Friedrich Ebert Foundation, që ishte gjithashtu serioz dhe i realizuar me kujdes. S’kemi mungesë të ideve të mira se si mund të bëhet kjo”.

Ambasadori amerikan edhe njëherë ka përsëritur se Shtetet e Bashkuara nuk po i kërkojnë Kosovës që të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe jashtë kornizës kushtetuese dhe që nuk është në pajtueshmëri me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Gabriel Escobar dhe Derek Chollet e bënë shumë të qartë se nuk do të ketë autoritet ekzekutiv, jo nivel të tretë të qeverisjes, jo model si të Republikës Serbe. Ne nuk do ta përkrahim këtë. Ka mënyra për ta bërë këtë, që u përgjigjen shqetësimeve të komunitetit dhe natyrisht i mirëpresim idetë e njerëzve të tjerë se si të bëhet kjo”, shtoi ai.

Angazhimit të kryeministrit Rama koment i ka dhënë edhe Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

Në një intervistë për “Euronews Serbia”, diplomati sllovak, përveç konferencës për normalizim, koment i ka dhënë edhe përpjekjeve të kryeministrit shqiptar për zgjidhjen e krizës në Veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë dhe draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

“Më duhet të them se ai luan një rol aktiv dhe konstruktiv në të krejt këtë krizë, sepse ai është njohës i mirë i situatës në terren. Sigurisht, si kryeministër i Shqipërisë, zëri i tij është mjaft autoritativ për t’u dëgjuar. Unë jam në kontakt të rregullt me ​​të dhe e di se sa kohë dhe autoritet ka investuar për të gjetur një zgjidhje”, tha Lajçak.

Kur ka komentuar dokumentin e përpiluar nga ekspertët ndërkombëtarë me nismën e kreut të qeverisë shqiptare për të gjetur një zgjidhje për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovës, ndonëse theksoi se është një dokument “serioz dhe cilësor”, tha se zgjidhja duhet të bëhet brenda kornizës së dialogut.

“Është një dokument shumë serioz. E kemi analizuar dhe mendoj se është cilësor. Sigurisht, ajo vjen nga jashtë procesit. Sipas të gjitha dokumenteve, është e qartë se statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duhet të hartohet brenda dialogut. Por për sa i përket përmbajtjes, ka elemente që mund të përdoren”.

Ndryshe, kryeministri i Shqipërisë në një konferencë për media me 23 qershor, kishte propozuar një konferencë normalizimi nën kujdesin dhe trysninë e kumbarëve të planit që është dakordësuar në bazë.

Rama sqaroi se, kjo konferencë normalizimi është pa të drejtë daljeje derisa të trajtohen ato pika që askush nuk i kundërshton, por në të njëjtën kohë secili ia hedh tjetrit fajit.

“Dy liderët bashkë (kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Aleksandër Vuçiç) me këdo tjetër rreth tyre të merren dhe të mbyllen brenda në një konferencë nën kujdesin dhe trysninë e kumbarëve të planit që është dakordësuar në bazë”.

Numri një i Qeverisë u shpreh se i ka dërguar letër, presidentit francez, Emmanuel Macron, kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit të KiE-së, Charles Michel.

Pasi tashmë duhet një shtytje e re: zbatimi me doemos i planit franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve dy palëshe.

“Pardje i kam nisur një letër të dytë për domosdoshmërinë për një shtyrje të re të Francës dhe Gjermanisë si kumbëtarët e planit franko-gjerman dhe që ky plan të zbatohet me doemos”, ishin fjalët e tij.

Sipas Ramës, është e domosdoshme që Macron dhe Scholz të ndërhyjnë dhe me patjetër të shtyjnë zbatimin deri në fund të marrëveshjes bazë.

Ndërsa, në fillim të qershorit kishte propozuar edhe një draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore