Lajme

Ndërhyn ushtria për të shuar trazirat në Afrikën e Jugut


Qeveria e Afrikës së Jugut ka dërguar ushtrinë për të shuar trazirat vdekjeprurëse të shkaktuara nga burgosja e ish-presidentit Jacob Zuma.

Të hënën, dyqanet u plaçkitën dhe ndërtesat u dogjën, ndërsa Zuma kundërshtoi dënimin e tij gjatë një seance në Gjykatën e Lartë.

Të paktën gjashtë veta janë vrarë dhe 200 janë arrestuar që nga fillimi i trazirave javën e kaluar, pasi Zuma u vetëdorëzua dhe filloi dënimin e tij 15-mujor.

Ai u dënua për shpërfillje të gjykatës, pasi nuk mori pjesë në një hetim për korrupsionin gjatë presidencës së tij.

79-vjeçari, i cili mohon korrupsionin, shpreson ta heqë ose ta ulë dënimin në seancën gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese. Sidoqoftë, ekspertët ligjorë thonë se shanset e tij për sukses janë të pakta.

Çështja ka shkaktuar një dramë të paprecedentë ligjore në Afrikën e Jugut, i cili nuk ka parë kurrë një ish-president të burgoset, më parë.

Një qendër tregtare në qytetin e Pietermaritzburg-ut, në provincën KwaZulu-Natal të Zumas, u dogj. Imazhet gjithashtu treguan se ndërtesa dhe automjete të tjera ishin ndezur dhe dyqanet ishin plaçkitur.

Situata në Pietermaritzburg është e paqëndrueshme, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Protestuesit u përgjigjën me plumba, kur policia po përpiqej t’i shpërndante ato me plumba gome nga qendrat tregtare që u plaçkitën brenda natës.

Policia thotë se kriminelët oportunistë kanë përfituar nga kaosi.

Dhuna është përhapur edhe në qytetin më të madh të Afrikës së Jugut, Johanesburg, kryeqendra e provincës Gauteng.

Të dielën, protestuesit e armatosur me shkopinj golfi dhe degë peme u panë duke marshuar nëpër qendër të Johanesburgut.

Disa qendra të vaksinimit COVID janë detyruar të mbyllen mes shqetësimeve të sigurisë.

Ushtria njoftoi se trupat po vendoseshin për të ndihmuar policinë dhe “për të shuar trazirat e ditëve të fundit në dy provinca”.

Presidenti Cyril Ramaphosa ka bërë thirrje për qetësi, duke thënë se nuk ka justifikim për dhunën.

Zuma u dënua pasi kundërshtoi të jepte prova për një hetim për korrupsion, gjatë nëntë viteve të tij në pushtet.

Ai ka dëshmuar vetëm një herë në hetimin për atë që është bërë e njohur si “kapja e shtetit” – që do të thotë zhvendosja e pasurive të shtetit.

Në një çështje të veçantë juridike, muajin e kaluar, ai u deklarua i pafajshëm në një gjyq korrupsioni që përfshinte një marrëveshje armësh prej 5 miliardë dollarësh.

Mbështetësit e tij argumentojnë se ai është viktimë e planeve të organizuara nga aleatët e Ramaphosa-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore