Kosova

NATO demanton Vuçiç-in


“Të gjitha vendimet në NATO, përfshirë ato për KFOR-in, merren në pajtueshmëri me të gjitha 30 vendet anëtare”, ka thënë një zyrtar i NATO-s për Radion Evropa e Lirë, kur është pyetur rreth deklaratës së presidentit serb Aleksandar Vuçiç më 13 maj, se vendi i tij ka marrë informacione nga burimet e inteligjencës, se një nga fuqitë e mëdha së shpejti do të fillojë të kërkojë zyrtarisht tërheqjen e forcave të KFOR-it dhe UNMIK-ut nga Kosova.

“Misioni ynë i KFOR-it ka për bazë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të ofruar ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, është thënë mes tjerash në përgjigjen e zyrtarit të NATO-s.

Të enjten, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se “një nga fuqitë e mëdha do të kërkojë tërheqjen e forcave të KFOR-it dhe Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara (UNMIK) nga Kosova”.

Në lidhje me këtë çështje, Vuçiç ka thënë se do të përpiqet të flasë me sekretarin e përgjithshëm të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), Jens Stoltenberg, me të cilin pritet të takohet më 17 maj në Bruksel.

UNMIK-u, përkatësisht Misioni i Përkohshëm i Kombeve të Bashkuara, është vendosur në Kosovë në vitin 2000, pas sulmeve ajrore të NATO-s në caqet e ushtrisë serbe.

Ai është vendosur në bazë të Rezolutës 1244, e cila është miratuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara në qershor të vitit 1999 dhe e cila është ende në fuqi.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, UNMIK-u ia ka dorëzuar shumicën e përgjegjësive të tij Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, është vendosur në Kosovë po ashtu në qershor të vitit 1999, pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore