Lajme

Aleksandër Vuçiç: Do të kërkohet tërheqja e KFOR-it dhe UNMIK-ut nga Kosova


“Një nga fuqitë e mëdha do të kërkojë tërheqjen e forcave të KFOR-it dhe Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara (UNMIK) nga Kosova”, ka deklaruar Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Ai para gazetarëve në Beograd ka theksuar se nuk mund të thotë se për cilën fuqi bëhet fjalë, por që informacionet janë nga “burimet zyrtare”.

Vuçiç po ashtu, ka thënë se Kosova ka paralajmëruar se do të ndajë 100 milionë euro në vit për ushtrinë, shumë kjo që sipas tij është e pakrahasueshme me Serbinë, e cila do të ndajë dy miliardë euro.

“Këto nuk janë të dhëna të krahasueshme, nuk duhet të kemi frikë, por është e qartë ajo që dikush dëshiron të bëjë”, shtoi ai, raporton gazeta serbe Kurir.

Në lidhje me këtë çështje, Vuçiç ka treguar se do të përpiqet të flasë me sekretarin e përgjithshëm të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), Jens Stoltenberg, me të cilin pritet të takohet më 17 maj në Bruksel.

UNMIKU-u në bazë të Rezolutës 1244, e cila është miratuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, që nga viti 2000 është vendosur në Kosovë, pas sulmeve ajrore të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) në caqet e ushtrisë serbe.

Ndërkaq, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, ka pranuar shumicën e përgjegjësive të dorëzuara nga UNMIKU.

Ndërsa misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR është vendosur në qershor të vitit 1999 në Kosovë, pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore